Në zonat rurale të Kukësit fermerët i janë rikthyer parmendës. Kostoja e lartë e mbjelljeve të pranverës i kthen ata vite pas në kohë, kur toka plugohej me punë krahu.

“Makineria këtu nuk futet. Çdo gjë bëhet me punë krahu. Forcë krahu këtu nuk ka, shumica e të rinjve janë në emigracion, kështu që po punojmë ne pleqt. I mbjellim kot se nuk marrim gjë nga toka”, thonë fermerët.

Edhe fermerë që arat i përgatisnin për mbjellje me mjete të mekanikës bujqësore, thonë se i punojnë tokat, por ato sërish mund të mbeten djerrë, pasi asnjëherë nuk arrijnë ta marrin përfitime nga prodhimet bujqësore që mbjellin.

“25 mijë lekë të vjetra një dynim për ta pluguar, 25 për ta mbjellë, 10 për sheshimin dhe kur vjen fundi i merr a s’i merr 70 mijë lek. Plehun kimik, që sot e 30 vite asnjë thes pleh kimik nuk kemi marrë si subvencion. Nuk ka njerëz që kontrollojnë, as farën dhe kemi mbetur si dopio gjashtë”, shtojnë fermerët.

Në fshatrat e Kukësit shumë nga banorët kanë dalë me humbje me misrin që kishin mbjellë sezonin e kaluar, e tani po mbjellin foragjere, që të paktën të sigurojnë ushqimin për bagëtitë.

Top Channel