Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u paraqit në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për çështjen e Teatrit Kombëtar, ku u zhvillua seanca dëgjimore, që u shndërrua në debat midis saj dhe deputetëve të opozitës, të cilët akuzuan ministren se qeveria po merr përsipër të zhvillojë një projekt klientelist.
Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi akuzoi ministren e Kulturës se kanë hequr qëllimisht godinën e teatrit nga zonat muzeale-historike dhe se, sipas një dëshire të kryeministrit Edi Rama, teatri do të shembet.
Ministrja Kumbaro, duke iu përgjigjur pyetjeve, nuk tha nëse godina e teatrit do të shembet ose jo, por theksoi se projekti që u prezantua disa ditë më parë ishte një propozim i vetofruar nga një kompani ndërtimi dhe i bazuar tek një studim i territorit të Tiranës dhe ndryshimeve të tij pas vitit 2000.
Sipas Kumbaros, projekti është ende një koncept dhe po shqyrtohet nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës.
Debate dhe replika të forta kanë shoqëruar për gati 5 orë Komisionin e Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik këtë të mërkurë, ku e ftuar për të raportuar mbi çështjen e Teatrit Kombëtar, ishte ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro. E pyetur disa here nga Kryetarja e Komisionit, nëse godina e Teatrit Kombëtar do të shembet për t’i lënë vendin projektit të ri me kullë të prezantuar nga kryeministri, Kumbaro tha se bëhet fjalë për një projekt-koncept, i cili është ende në fazën e shqyrtimit.
“Kompania private ka propozuar një projekt, një koncept dhe këtë koncept jemi duke e shqyrtuar. Jemi pikërisht në këtë fazë, duke shqyrtuar projekt-konceptin. Të gjitha këto i kemi bërë publike”, tha Mirela Kumbaro, Ministre Kulture.
Përgjigjja mesa duket nuk ishte shteruese për opozitën dhe kryetaren e Komisionit, për të cilën qëndrimi i ministres ishte i ndryshëm nga ai i kryeministrit. “Teatri do shembet, sepse është jashtë çdo lloj standardi”, u shpreh kryeministri Rama më 12 mars.
Vokshi: Kë të besoj unë, Kryeministri tha do shembet, ti thuaj jo. O ai është i çmendur, o ti je e çmendur.
Kumbaro: Unë e ndërpres këtu!
Pas ikjes së Kumbaros, Komisioni vendosi që çështja e Tetarit Kombëtar të mos mbyllet këtu, por që Ministrja e Kulturës të thirret në një tjetër seancë dëgjimore.
Top Channel