Socialistët u shprehen dakord me nismën e demokratëve për të mbajtur një referendum për importin e mbetjeve në Shqipëri. Por ata kërkojnë konsultime me komisionet parlamentare. Për deputetët e opozitës, kjo është një përpjekje për të bllokuar procesin.

“A duhet të lejohet importi i mbetjeve në territorin e Shqipërisë? Po, Jo?” Përgjigjen e kësaj pyetjeje opozita e do nga shqiptarët, përmes një referendumi. Gjashtë muaj pas depozitimit të kërkesës në Kuvend nga ana e demokratëve, Komisioni i Ligjeve nisi të martën shqyrtimin e saj.

“Jemi para një risku shumë të lartë që mazhoranca të rikthejë importin e mbetjeve kundër vullnetit të publikut”, u shpreh Oerd Bylykbashi.

Relatori socialist Bledi Çuçi theksoi se nisma e demokratëve është konform Kushtetutës dhe ligjeve, por ngriti disa pikëpyetje të tjera, për të cilat kërkoi konsultim me Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.

“Shtrohet pyetja nëse çështja për të cilën kërkohet referendumi: A është e një rëndësie të atillë për ta çuar në referendum? A ekziston një çështje? Për këto dy çështje duhet të marrim përgjigje nga komisioni përgjegjës që ka të bëjë drejtpërdrejtë.”, tha Çuçi.

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese drejtohet nga Eduard Shalsi, një prej 3 firmëtarëve të iniciativës ligjore PS-LSI që legjislaturën e kaluar tentoi të lejonte importin e një numri më të kufizuar mbetjesh se ato të lejuara nga ish-qeveria Berisha.

Pasi u kthye mbrapsht nga atëherë Presidenti Nishani, ligji për importin e mbetjeve mbeti pezull në Kuvend pasi Ilir Meta, në atë kohë kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe i Kuvendit, përballë rrezikut të kostos elektorale nuk ofroi më votat e partisë së tij. Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, PS e tërhoqi nismën e saj në shtator, ndonëse kishte marrë e vetme pushtetin. Sipas Kryeministrit Rama, kjo u bë për të informuar më mirë qytetarët. Ndërsa deputeti Shalsi, të cilit do t’i kërkohet mendim nëse duhet apo jo referendumi, mbante këtë qëndrim.

“Nuk është bërë asnjë herë dhe në asnjë moment fjala për import plehrash, mbetjesh. Është bërë fjalë për import të lëndëve të para dytësore, për industrinë e riciklimit”, shprehej Shalsi më 26 Shtator 2017

Ndonëse aprovuan kërkesën e socialistëve për të kërkuar mendimin e Veprimtarive Prodhuese, demokratët paralajmëruan se kjo ishte një përpjekje për ta bllokuar referendumin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA