Protesta masive shpërthyen në provicën spanjolle të Katalonjës, pasi ish-lideri i saj, Carles Puigdemont u arrestua në Gjermani.
Puigdemont, i cili kërkohet në Spanjë për ndarje dhe rebelim, u ndal nga policia gjermane, e cila thjesht zbatoi një urdhër-arresti evropian. Por, mbështetësit e tij nuk pritën që Puigdemont të dalë para gjykatësit në Gjermani dhe u hodhën në protesta, ku përballjet me forcat e rendit nuk munguan. Përleshjet mes protestuesve dhe policisë në Katalonjë shkaktuan plagosjen e të paktën 90 personave, rreth 10 të tjerë përfunduan në pranga.
Puigdemonet u arrestua kur po kthehej nga Danimarka drejt Belgjikës, ku jeton në ekzil të vetëimponuar, që kur Parlamenti i Katalonjës shpalli pavarësinë e njëanshme nga Spanja tetorin e shkuar. Mandati evropian i arrestit për të u rikonfimua nga një gjykatë të premten dhe menjëherë pasoi ndalimi.
Shumë katalanas protestuan para zyrave të KE-së dhe Konsullatës Gjermane në Barcelonë, ku kërkuan lirimin e të burgosurve politikë, ndërsa hodhën parrulla kundër asaj që ata e konsideruan si “Evropa e turpshme”.
Sipas autoriteteve, numri i protestuesve kaloi 50 000, ndërsa organizatorët pretendojnë se bëhet fjalë për më shumë.
Top Channel