Edhe pak ditë zgjat koha për aplikimin e fermreëve që duan të përfitojnë fonde subvencion nga shteti.
Por shumica e fermerëve përjashtohen nga kriteri i sipërfaqes së tokës. Top Channel ka përcjellë disa herë shqetësimet e tyre.
“Une kam 2.8 dynym. Këta thone 1 dynym nuk subvencionohet, as 2. Thonë duhet të kemi 5 dynym. Ne si bëjmë bashkë aq, jo më vetëm”, ka thënë BrahimTroka, fermer.
I pyetur për këtë shqetësim të fermerëve, ministri i Bujqësisë Peleshi thotë që fermerët e vegjël duhet të bashkohen.
“Problemi i bujqësisë sonë janë fermat e vogla. Fermerët e vegjël duhet të bashkëpunojnë. Kooperimi është i rëndësishëm. Aplikimet nisin brenda prillit”, tha Peleshi.
Për shkak të këtij kriteri numri i përfituesve të fondeve do jetë i vogël dhe fermerët thonë se edhe këtë vit, paratë subvencion do t’i marrin bizneset e mëdha, fermat e mëdha blegtorale dhe bujqësore, dhe jo prodhuesit e vegjël në fshat që janë qindra mirë.
Ministria e Bujqësisë do shpërndajë edhe fondet që do jepen nga Bashkimi Europian, gjithesej 74 milionë euro, deri në vitin 2020. Përfaqësuesit e Komisionit Europian i kërkojnë qeverisë të plotësojë disa kushte.
“Aplikimi duhet të jetë i thjeshtë. Fondet duhet të shpërndahen si duhen. Herën tjetër që do të vij në Shqiperi dua të shoh rezultatet e përthithjes së fondeve”, tha Liam Breslin, përfaqësues i IPARD në Komisionin Europian.
IPARD parashikon mbështetje në 60 përqind të planit të biznesit të një fermeri. Projektet në zonat malore do të financohen me 70 përqind ndërsa kërkesat e fermerëve të rinj nën 40 vjeç me 65 përqind të planit të biznesit.
Top Channel