Donald Trump Jr. dhe bashkëshortja e tij, Vanesa, kanë nisur procedurat e divorcit.
Sipas të dhënave publike të gjykatës, Vanesa Trump kërkon divorc të pakontestueshëm nga djali më i madh i Presidentit amerikan, por detaje të kërkesës nuk janë bërë publike. Çifti është martuar në 2005 dhe ka pesë fëmijë.
“Pas 12 vitesh martesë, ne kemi vendosur të ecim në rrugë të ndara. Ne gjithnjë do të kemi respekt të jashtëzakonshëm për njëri-tjetrin dhe familjet tona. Ne kemi pesë fëmijë të mrekullueshëm bashkë dhe ata do të mbeten prioriteti ynë kryesor. Ne kërkojmë që të respektohet privatësia jonë gjatë kësaj periudhe”, tha çifti në një deklaratë të përbashkët për shtyp.
Sipas “The New York Post”, ata kanë pasur probleme martesore të lidhura me udhëtimet e shumta të Donald Jr. dhe fiksimin e familjes së tij për Twitter-in. Muajin e kaluar, ish-modelja hapi një letër drejtuar të shoqit, që përmbante një pluhur të bardhë të paidentifikuar. Ajo u shtrua për pak orë në spital, por substanca rezultoi të ishte e padëmshme. Një burrë nga Masaçusets u akuzua më pas për dërgimin e letrës kërcënuese.
Top Channel