Një gjykatë greke ka nxjerrë të pafajshëm mitropolitin e Kalavritës dhe Egaleos, Amvrosios, pas akuzave të ngritura ndaj tij për një publikim që ka bërë në blogun personal në dhjetorin e vitit 2015.
Artikulli i referohej projektligjit të miratuar me shumicë votash nga Parlamenti grek, që lejonte marrëveshjen e partneritetit civil midis çifteve të të njëjtit seks.
Mitropoliti Amvrosios ka theksuar në artikullin në fjalë, ndër të tjera, se “homoseksualiteti është një devijim nga ligjet e natyrës”
“Është një krim social! Është një mëkat! Ata që ose e përjetojnë atë, ose e mbështesin, nuk janë njerëz normalë! Është një llum i shoqërisë! Pështyjini”, ka bërë thirrje ai.
Por, ndërsa ai akuzohej për “nxitje publike të dhunës, urrejtjes dhe shpërdorimit të detyrës kishtare”, gjykata pas 9 orësh ka pranuar argumentin e avokatëve të tij se bëhej fjalë për një metaforë dhe drejtohej ndaj politikave.
Ndërkohë mësohet se, edhe në sallën e gjyqit, mitropoliti grek ka ruajtur pozicionimin e tij, duke u shprehur me fjalë edhe më të ashpra, se “nëse do të kisha armë dhe do të më lejonte ligji, do ta përdorja kundër tyre dhe të mbaronte kjo punë. E nëse këtë frazë e kanë përdorur edhe nazistët, atëherë bravo”.
Para gjyqit, një grup prej 60 anarkistësh kanë protestuar duke shkaktuar edhe dëme materiale në hyrjen e ndërtesës, por kanë hasur më pas në rezistencën e forcave policore.
Edhe sot në Greqi, dhjetëra aktivistë mbështesin projektligjin, ndërsa nga ana tjetër ka reagime të shumta nga besimtarë fanatikë ortodoksë.
Top Channel