“Turqia po prodhon armë, sepse ka fqinj të këqinj”, ka deklaruar presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, duke iu referuar Greqisë dhe Qipros.
Në një fjalim në Ankara, para nëpunësve të Administratës Publike të kryeqytetit, ku kryesisht ka folur për operacionet ushtarake në Afrin të Sirisë, ai e ka quajtur pushtimin e Qipros në vitin 1974 një “operacion paqësor” dhe ka shpjeguar pse qeveria e tij i jep rëndësi industrisë vendase të prodhimit të armëve.
Megjithëse mesditën e së mërkurës Bashkimi Europian aprovoi paketën e dytë, me vlerë të njëjtë me të parën prej 3 miliardë eurosh, të cilën Turqia do ta përdorë për refugjatët sirianë që ajo mban në territorin e saj, Erdogan ka shigjetuar përsëri Brukselin.
“BE-ja mbështeti Greqinë për krizën ekonomike dhe i dha 400 miliardë euro. Kur vendet me naftë apo gaz kanë probleme, ata sigurisht i ndihmojnë duke iu kërkuar diçka si shkëmbim. Por kur edhe Turqia ka probleme i kthejnë shpinën”, ka thënë Erdogan.
Edhe para disa ditësh, kur agjencia e vlerësimit të kreditit “Moody’s” zhvlerësoi 14 banka turke, Erdogani reagoi ashpër duke përdorur si shembull Greqinë.
“Si ka mundësi që agjencitë e ndryshme vlerësojnë pozitivisht Greqinë e falimentuar dhe të lodhur nga kriza dhe na zhvlerësojnë neve?”, tha ai.
Ndërkohë, Komisoneri europian Dimitris Avramopoulos, që e ka quajtur përshkallëzimin e tensionit mes Athinës dhe Ankarasë të tepërt dhe që mund të tejkalojë cakun, i ka bërë thirrje Turqisë të lirojë dy oficerët grekë të arrestuar para disa ditësh nga forcat turke, në kufirin midis dy vendeve.
Top Channel