Rreth 23 mijë banorë janë evakuuar nga një qytet qendror i Italisë, pasi një bombë e pashpërthyer e Luftës së Dytë Botërore u gjet gjatë gërmimeve.
Zyrtarët në Fano thanë se bomba e prodhimit britanik mund të shpërthejë, pasi u aktivizua aksidentalisht.
Pacientët që gjendeshin në një spital aty pranë u zhvendosën, ndërsa shërbimi hekurudhor u pezullua, derisa ekspertë ushtarakë dhe marinsa hoqën pajisjen dhe e hodhën atë në det.
Shkollat u urdhëruan ndërkohë të mbylleshin për këtë të mërkurë.
Bomba 1.1 metra e gjatë dhe me peshë 225 kg u gjet në bregdetin e Fanos gjatë punimeve për ndërtimin e një kanali kullimi.
Njerëzit e ndërtesave në një rreze prej 1.8 km nga pajisja e pashpërthyer u evakuuan. E thënë ndryshe, rreth një e treta e popullsisë së kësaj zone, rreth 220 km nga Roma, që shtrihet buzë Adriatikut, u prekën nga ky zhvillim.
Porti dhe aeroporti i zonës u mbyllën gjithashtu, me kryebashkiakun Massimo Seri që deklaroi se masat ishin të nevojshme, pasi operacioni për largimin e bombës ishte me rrezikshmëri të lartë.
Pas punës së zhvilluar përgjatë natës, ekspertët arritën ta largonin atë në orët e para të së mërkurës. Zyrat publike në këtë qytet qëndruan të mbyllura deri në orën 13, ndërsa banorëve iu komunikua se mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Top Channel