Lideri koreano-verior Kim Jong un dëshiron një ‘përparim të dukshëm’ në marrëdhëniet me Korenë e Jugut. Njoftimi vjen nga media shtetërore, pas vizitës se rrallë në Penian të zyrtarëve të lartë të Koresë së jugut të cilët darkuan me udhëheqësin e vendit të izoluar komunist.

Ata u bënë zyrtarët e parë nga Seuli që u takuan me liderin koreano-verior që prej ardhjes së tij në pushtet. Vizita është pjesë e valës së shpejtë të përpjekjeve për afrim në gadishullin korean pas lojërave olimpike.

Seuli komentoi shkurtimisht takimin, duke u mjaftuar të thotë se palët kishin arritur një marrëveshje të kënaqshme mbi bisedimet e ardhshme.

Delegacioni pritet të vizitojë Uashingtonin më vonë gjatë javës për të informuar zyrtarët amerikanë lidhur me takimin në Penian. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur optimistë lidhur me përmirësimin e lidhjeve mes veriut dhe jugut, por përjashtuan çdo bisedim zyrtar me Penianin nëse ky i fundit nuk heq dorë nga armët bërthamore.

Përgjatë lojërave olimpike Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë të ditur se gjestet e Koresë së Veriut për afrim nuk do të kishin asnjë peshë pa një përkushtim të tillë.

Kim Jong-un ka takuar shumë pak zyrtarë të jashtëm që kur u bë lider i shtetit të izoluar komunist në vitin 2011 dhe hera e fundit që një delegacion nga jugu vizitoi Penianin ishte në 2007-ën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA