Dorëheqja, Renzi shtyn datën e largimit nga Partia Demokratike

06/03/2018 09:34

“Dorëhiqem, por pas krijimit të qeverisë së re”. Matteo Renzi krijoi pështjellim me deklaratën e tij të çuditshme të largimit nga kreu i Partisë Demokratike.

Njoftimi erdhi pas zhvillimeve dramatike elektorale, që e ndëshkuan ashpër PD-në në Itali, disfata e së cilës ishte aq e thellë, sa e bëri të qartë për një pjesë të zërave të brendshëm, që drejtuesi duhet ta linte me kaq.

Por, Renzi nuk do që të ikë menjëherë. “Ne bëmë disa gabime, – u shpreh ai. – I pari ishte që nuk votuam në vitin 2017, kur mund të imponohej një fushatë mbi axhendën europiane, dhe i dyti, që u treguam gjatë kësaj fushate tepër teknikë dhe nuk treguam shpirtin e gjërave që duheshin bërë”.

Sipas Renzit, e gjithë situata e sotme politike është rezultat i problemit të lindur prej referendumit. “Ata që kundërshtonin reformën kushtetuese, – shtoi ai, – janë sot viktima të vetes dhe zgjedhjes që bënë atëherë”.

Megjithatë, argumentet e tij se kjo dorëheqje nuk përbën një arratisje dhe se do të qëndrojë për ta parë ekzekutivin e ri, – ndaj të cilit, siç tha edhe vet, nuk do të jenë një antisistem, por do të bëjnë opozitë, – nuk i bindin disa prej anëtarëve të rëndësishëm të Partisë Demokratike, përfshirë vet kreun e grupit parlamentar, Luigi Zanda.

“Vendimi i Renzit për t’u dorëhequr, por për ta shtyrë pastaj datën e largimit, është i pakuptueshëm dhe shërben vetëm për të fituar pak kohë”, u shpreh ai. Sipas senatorit demokrat, dorëheqja është një gjë serioze: ose e bën, ose jo! Dhe kur vendos të largohesh, heq dorë pastaj nga manovrat.

Top Channel