Aeroplanmbajtësja e zhdukur zbulohet pas 76 vitesh në Australi – VIDEO

06/03/2018 12:14

Aeroplanmbajtësja amerikane “USS Lexington”, e zhdukur gjatë Luftës së Dytë Botërore, është gjendur pranë brigjeve të Australisë pas plot 76 vitesh.

Anija humbi në betejën e “Detit të Koraleve” majin e vitit 1942. Gjatë luftimeve, asokohe u vranë më shumë se 200 anëtarë të ekuipazhit të saj, ndërsa u arrit të shpëtoheshin 2.000 të tjerë.

Marina amerikane njoftoi tani se anija, për të cilën nuk dihej më asgjë prej gati 8 dekadash, u gjet në 3 km thellësi, pas një kërkimi të kujdesshëm të drejtuar nga bashkëthemeluesi i “Microsoft”-it, Paul Allen.

Pamjet filmike tregojnë se ajo ishte ruajtur mjaft mirë. Diktimi i “USS Lexington”-it, së bashku me 11 nga 35 avionët e saj, u bë të dielën nga kompania e Allenit, “Vulcan”.

Kreu i Komandës amerikane të Paqësorit, admirali Harry Harris e përshëndeti zbulimin, e duke theksuar se është dhe ai vet, i biri i një të mbijetuari të “USS Lexington”, i përcolli urimet e tij Paul Allenit dhe ekuipazhit të ekspeditës kërkimore për lokalizimin e asaj që njihet ndryshe si “Zonja Lex”.

Beteja e “Detit të Koraleve” konsiderohet si një moment kyç në ndalimin e përparimit të Japonisë në rajonin e Paqësorit gjatë luftës.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA