Më pranë se kurrë, takim historik mes dy Koreve

05/03/2018 14:38

Udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un ka shtruar një darkë për dy delegatët koreano-jugorë, hera e parë që zyrtarë nga Seuli janë takuar me kreun e ri, që kur ai mori detyrën në vitin 2011.

Zyra e presidentit të Koresë së Jugut konfirmoi takimin pak pas mbërritjes së delegatëve në Veri, të hënën.

Delegacioni ndodhet në Penian për bisedime të rralla, që kanë si qëllim rifillimin e dialogut mes Veriut dhe Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhëniet mes Koreve u ngrohën disi pas Lojërave Olimpike Dimërore. Në një lëvizje të paprecedentë, delegacioni përfshiu dy të dërguar në nivel ministerial, shefin e inteligjencës Suh Hoon dhe këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Chung Eui Yong.

Radioja shtetërore koreano-veriore tha se delegacionet u takuan nga Ri Son-gwon, shefi koreano-verior për Ribashkimin, që kryesoi bisedimet në javët para Lojërave Olimpike.

Gjatë vizitës dyditore, grupi koreano-jugor do të fokusohet te krijimi i kushteve për bisedime, që synojnë të ndalin programin bërthamor të vendit komunist, si dhe nisjen e dialogut mes Uashingtonit dhe Penianit.

Vet presidenti amerikan, Donald Trump tha të shtunën se Amerika do të ishte e gatshme për t’u takuar me Korenë e Veriut, por përsëriti se Peniani më parë duhet të denuklearizohet. Sidoqoftë, Koreja e Veriut, që ka thënë se do të bisedojë me SHBA, tha se është prepotencë fakti që Uashingtoni këmbëngul në parakushte.

Top Channel