Lega Nord kërkon kryeministrin. Kandidati Matteo Salvini “dashuron” Brexit

05/03/2018 14:50

Italia mund të ketë një kryeministër që do federalizimin, nuk do euron dhe dashuron “Brexit”-in.

“Marrëveshja e gentleman-ëve”, siç e quan paktin parazgjedhor me Silvio Berlusconin njeriu që drejton “Lega Nord”-in, Matteo Salvini, parashikonte që kreun e ri të qeverisë ta përcaktojë partia brenda koalicionit që do të siguronte numrin më të madh të votave, e ndryshe nga ç’priste kavaljeri, “derbin” e brendshëm e fitoi Lega me 18% të votave, kundrejt 14 përqindëshit që i shkon “Forza Italia”-s.

Salvini i hodhi poshtë pretendimet e një pakti me “Lëvizjen 5 yjet”.

“Nuk do të ketë bashkime të çuditshme. Jam njeri që e mban fjalën e kjo detyrë i takon koalicionit të qendrës së djathtë, që ka fituar dhe mund të qeverisë”, tha Matteo Salvini.

Triumfin, Salvini ia detyron në masë të madhe retorikës së tij bombastike, e shpesh edhe raciste, siç nënvizon “The Guardian”.

Luigi di Maio, kandidati për kryetar ekzekutivi i “Lëvizjes 5 yjet”, e cila doli nga këto zgjedhje si forca e vetme më e madhe, postoi nga ana tjetër në Facebook foton e përqafimit të fitores me Beppe Grillon, shoqëruar me komentin “Rezultati na projekton në mënyrë të pashmangshme drejt udhëheqjes së vendit”.

Zgjedhjet e përgjithshme të së dielës në Itali nuk dolën jashtë kornizës së parashikimeve. Ashtu siç pritej, votuesit italianë mbështeten partitë e krahut të djathtë dhe ato populiste. Koalicioni i Silvio Berlusconit rezulton të ketë siguruar shumicën e vendeve në Dhomën e Ulët të Parlamentit, por jo aq sa nevojitet për një mazhorancë të qartë.

Krijimi i qeverisë, sipas ekspertëve mund të kërkojë javë të tëra negociatash. Një zgjidhje alternative do të ishte mbajtja e votimeve të reja, të cilat të prodhonin një rezultat më vendimtar, por nuk ka garanci që kjo mund të ndodhë.

Edhe pse asnjë forcë politike nuk do të jetë në gjendje të qeverisë e vetme, të paktën nga sa tregojnë të dhënat paraprake, rritja e mbështetjes për populistët në Itali është krahasuar me “Brexit”-in dhe fitoren e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara.

Garës për Parlamentin e ri italian iu bashkuan dhe 5 kandidatë shqiptarë, prej vitesh nënshtetas të vendit fqinj, e tanimë edhe aspirantë për t’u kthyer në pjesë aktive e jetës së tij politike.

Top Channel