Fitorja e Berlusconit; Italianët votojnë të djathtën dhe populistët, por pa shumicë të qartë

05/03/2018 08:13

Zgjedhjet e përgjithshme të së dielës në Itali nuk dolën jashtë kornizës së parashikimeve: Exit Poll-et e publikuara nga televizioni shtetëror treguan se ashtu siç pritej, votuesit mbështetën partitë e krahut të djathtë dhe ato populiste.

Votat e numëruara deri në 02:30, dëshmojnë se koalicioni i Silvio Berlusconit ka siguruar shumicën e vendeve në Dhomën e Ulët të Parlamentit, duke llogaritur të marrë diku tek 248-268, por jo 316 vendet e nevojitura për një mazhorancë të qartë. Krijimi i qeverisë mund të kërkojë tani javë të tëra negociatash.

Një zgjidhje alternative do të ishte mbajtja e votimeve të reja, të cilat të prodhonin një rezultat më vendimtar, por nuk ka garanci që kjo mund të ndodhë. Rezultatet paraprake e vendosin “Lëvizjen 5 Yjet” në vend të dytë; ajo ka fituar goxha terren dhe me 216-236 mund të dalë nga këto zgjedhje si forca e vetme më e madhe politike.

Koalicioni i qendrës së majtë i drejtuar nga Partia Demokratike, deri më tani në pushtet, renditet i treti me 107-127 të projektuara në dhomën e ulët.

Perspektiva e tij të fitores vuajti pasojat e zemërimit publik mbi dy çështje të kthyera në shqetësim madhor për italianet: Papunësia dhe emigracioni.

Tani çdo gjë do të ndryshojë shkruan sot në faqe të parë e përditshmja “Fatto Quotidiano”. Edhe pse asnjë parti nuk do të jetë në gjendje të qeverisë e vetme, të paktën nga sa tregojnë të dhënat paraprake, rritja e mbështetjes për populistët në Itali është krahasuar me Brexit-in dhe fitoren e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara.

Korrespondentët e huaj përmendin në këtë pikë si teorikisht të mundshëm skenarin që do të ishte në fakt, një makth për Bashkimin Europian: një koalicion mes “Lega Nord” dhe Lëvizjes populiste euroskeptike “Pesë Yjet”.

Pjesë e garës për Parlamentin e ri italian u bënë dhe pesë kandidatë shqiptarë, prej vitesh nënshtetas të vendit fqinj e tanimë edhe aspirantë për t’u bërë pjesë aktive e jetës së tij politike.

Top Channel