Zhdukja e italianëve në Meksikë, arrestohen 4 policë, 3 në kërkim

04/03/2018 14:13

Autoritetet meksikane kanë nisur procedurat penale kundër 4 policëve, të dyshuar si përgjegjës për zhdukjen e 3 shtetasve italianë.

Personat e zhdukur, të gjithë nga Napoli, u panë për herë të fundit më 31 janar në Tecalitlán, në shtetin perëndimor të Jaliscos.

Guvernatori i shtetit tha se efektivët i kishin dorëzuar italianët te një kartel lokal droge.

Rafaele Russo, 60 vjeç, djali i tij Antonio, 25 vjeç, dhe nipi 29-vjeçar, Vincenzo Cimmino, u ndaluan nga policia meksikane në një pikë karburanti në Tecalitlán.

Hera e fundit që familjarët në Itali kontaktuan me ta ishte përmes një mesazhi në “Whatsapp”, në të cilin Russo pohonte se disa policë me motoçikleta dhe furgon u kishin kërkuar që t’i ndiqnin.

Një prej të afërmve të të zhdukurve tha më herët për një radio italiane se, burrat u ishin shitur bandës për 53 dollarë, por autoritetet lokale pohuan se nuk mund ta konfirmonin informacionin.

Zona kontrollohet nga karteli “Jalisco New Generation”, një prej më të fuqishmëve në vend. Katër policë, përfshirë një grua, janë arrestuar dhe akuzuar lidhur me rastin.

Policia meksikane bëri me dije se 3 efektivë të tjerë janë në kërkim. Ende nuk është shumë e qartë se çfarë po bënin italianët në Meksikë, por sipas disa raportimeve, ata ishin atje për të shitur produkte kineze.

Top Channel