Situata në Siri, “përtej kritikes”. Zona rebele, nën “shiun” e bombave

04/03/2018 16:51

Banorët e zonës rebele të Ghoutës Lindore në Siri raportohet se po braktisin shtëpitë e tyre, pasi situata aty përshkruhet përtej kritikes.

Medie të ndryshme raportojnë se ushtria siriane ka intensifikuar presionin në disa fronte, në përpjekje për të rimarrë kontrollin e kësaj enklave, që gjendet në lindje të kryeqytetit Damask.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë me seli në Londër, por me shumë aktivistë në terren, tha se forcat qeveritare kanë marrë rreth 10% të zonës në fjalë.

Ashtu si ditët e shkuara, edhe karvani me ndihma i planifikuar për të dielën nuk mundi të hyjë në këtë zonë. Ashpërsimi i skajshëm i bombardimit të Ghoutës Lindore nga forcat qeveritare u ka kushtuar jetën mbi 600 personave, shumë prej të cilëve fëmijë, që prej 18 shkurtit.

As armëpushimi i përditshëm prej 5 orësh i urdhëruar nga Rusia dhe as armëpushimi kombëtar i urdhëruar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk sollën lehtësim të situatës për këtë zonë.

OKB-ja thotë se ndëshkimi kolektiv i civilëve është i papranueshëm, por nuk ka marrë asnjë masë kontrete në formë raprezaljeje ndaj regjimit sirian.

Mediet thonë se qindra njerëz janë larguar nga skajet e Ghoutës Lindore dhe janë strehuar në qendër të saj, duke i shpëtuar përkohësisht furisë së bombardimit, që shumë shpejt do t’iu mbërrijë sërish, ndërsa forcat e Bashar al-Assadit përparojnë.

Këto të fundit thonë se po përpiqen të çlirojnë zonën nga terroristët dhe se nuk shënjestrojnë civilë, diçka që edhe vet ata zor se e besojnë.

Top Channel