Mbrëmja më e rëndësishme e kinematografisë botërore, vjen sërish për shqiptarët në Top Channel.
Bëhet fjalë për Çmimet Oscar, që vijnë në një mbrëmje maratonë dhe plot surpriza.
“Kjo mbrëmje ka gjithmonë emocione. Është nga këto mbrëmjet që fanatikët e filmave si puna ime dhe shumë njerëzve që shohin filma çdo ditë të jetës së tyre, mezi e presin. Kështu që, emocionet janë shumë të mëdha, pavarësisht se ne jemi satelit në mbrëmjen Oscar, fakti që për të dytin vit radhazi Top Channel e transmeton, do të thotë shumë”, thotë producenti Ledion Liço.
Një studio e ngrohtë, përshtatur rehatisë së shijes së Oscar-ve si nga shtëpia, do të mirëpresë një sërë të ftuarish. Komentues të anës teknike të filmave, si Ermir Joinka, Genc Përmeti, Erion Bubullima, Andi Proda, Jonida Beqo, Elkjana Gjipali, si dhe një pjesë kushtuar tërësisht shkëlqimit të tapetit të kuq, me komentues Niko Komanin, Odeta Banushajn, Endrit Mërtirin e Lori Hoxhën.
“Në pjesën e parë të programit, prej orës 23:00 deri rreth orës 00:30, do të flasim për anën teknike, për atë çka solli kinemaja botërore këtë vit. Në pjesën e dytë, me fillimin e tapetit të kuq në Los Angelos, ne do të fillojmë transmetimin dhe komentimin e asaj që kanë zgjedhur të veshin yjet në këtë edicion të 90”, shpjegoi Ledion Liço.
Ndërsa ky vit i jep mundësinë më të madhe filmit “Forma e Ujit” të Guillermo Del Toros për të marrë statujën e artë të filmit më të mirë, apo edhe për regjisorin më të mirë, sërish eksperienca ka treguar që surprizat e kësaj nate janë të paparashikueshme.
“Forma e ujit (Shape of Water) është filmi më i përfolur, doemos më i nominuar dhe për mendimin tim, do të jetë humbësi më i madh i këtij edicioni. Mendoj që ky është viti i “Three Billboards Outside Ebbie, Missouri”, është viti i atij si film, i atij si aktorja më e mirë protagoniste. Aktori më i mirë protagonist për mendimin tim ngelet Gary Oldman, dhe tek regjia më e mirë për herë të parë është një femër e cila kandidon në nivelin më të lartë për një çmim për regjinë”, thekson Ledion Liço.
E ndërsa Oscar është një edicion special, pasi vjen pas skandalit seksual të shtatorit që vuri në dyshim edhe ekzistencën e kësaj nate, ka edhe një politikë të tërë kundër diskriminimit, megjithatë ende nuk kemi një fitues gay të statujës së artë.
“Edhe kjo do të jetë në temat e diskutimit, mbrëmjen e sotme”, u shpreh Ledion Liço.
Top Channel