Fjalimi i Trump, plot me ironi për kaosin në Uashington

04/03/2018 14:08

Në një fjalim të karakterizuar nga humori dhe autoironia, presidenti amerikan u përpoq të çdramatizonte kaosin që ka përfshirë Shtëpinë e Bardhë.

Ai u tall me bashkëpunëtorët dhe gruan e tij në darkën e përvitshme me politkanët dhe gazetarët ne Uashington.

“Asnjë tjetër nuk është aq autoironik sa unë”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili më pas ironizoi lidhur me hetimet ku janë të përfshirë bashkëpunëtorët e tij, mes të cilëve dhëndri Jared Kushner.

“U vonuam sot, pasi Jared nuk kalonte dot përmes rojeve të sigurisë”, pohoi Trump. Në shënjestër të batutave të tij u vu edhe prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions.

Duke iu referuar vendimit të Sessions për t’u tërhequr nga drejtimi i hetimeve mbi lidhjet e mundshme të Trumpit me Rusinë, presidenti tha se i kishte ofruar prokurorit ta shoqëronte në aktivitetin e së shtunës, por ai ishte tërhequr edhe në këtë rast.

Sa i përket çështjes së largimeve nga Shtëpia e Bardhë…

“Tani të gjithë më pyesin vazhdimisht. Kush është personi i radhës që do të largohet? Steve Miller apo Melania”, tha Donald Trump.

Për ish-kryestrategun e tij, Steve Bannon, Trump deklaroi se prej tij kishte pasur më shume rrjedhje informacionesh sesa nga Titaniku.

Kreu i Shëpisë së Bardhë shtoi gjithashtu se zyrtarë të Koresë së Veriut e kishin telefonuar disa ditë më parë për t’i thënë se ishin të hapur për bisedime. “U thashë se edhe ne jemi, por fillimisht duhet të çarmatosen”, ishte komenti i Trump.

Megjithatë nuk u kuptua nëse edhe në këtë rast bëhej fjalë për një shaka.

Top Channel