Disa nga format më të vjetra të artit të shpellave janë zbuluar në Spanjën e ditëve të sotme dhe sipas kërkuesve janë më të vjetrat e bëra nga njerëzit e hershëm.
Piktura kafshësh dhe të tjera vizatime duhet të jenë bërë nga neandertalët dhe ata kanë qëndruar atje për një kohë të gjatë.
Arti i shpellave shtrihet në një periudhë prej 25 mijë vjetësh sipas kërkuesve evropianë. Ka po ashtu edhe më shumë prova se neandertalët bënin edhe bizhuteri…sipas një raporti të dytë. Janë gjetur guaska të ngjyrosura dhe të shpuara në mënyrë që të lidheshin së bashku apo të qepeshin në rroba. Kërkuesit thonë se të gjitha këto provojnë se neandertalët ishin po aq të zgjuar sa njerëzit modernë.
“Rezultatet tona tregojnë se vizatimet e zbuluara janë më të vjetrat të njohura në botë dhe janë krijuar të paktën 20 mijë vite para ardhjes së njerëzve modernë në Evropë nga Afrikë, ndaj ato duhet të jenë pikturuar nga neandertalët. Ky është një zbulim i jashtëzakonshëm që na tregon se neandertalët ishin shumë më të sofistikuar nga sa besonim deri më tani”, tha Kris Standish, arkeolog.
Për dekada të tëra, neandertalët portretizoheshin si specie njerëzore të shëmtuara e primitive. Por, kërkimet kanë treguar se ata ngjasonin me njerëzit modernë dhe se shumë njerëz të ditëve të sotme mbajnë ADN-në e neandertalëve.
Ka pasur edhe prova të diskutueshme të artit të shpellave dhe bërjes së bizhuterive. Raportet më të fundit mbështesin idenë se banorët neandertalë të Evropës gëzonin bukurinë e artit dhe dekorimit sipas stilit të tyre.
Top Channel