A duhen inceneratorët? Të gjithë janë dakord, por ndahen tek procedura

15/02/2018 15:15
Foto LSA

A duhen apo nuk duhen djegur mbetjet? “Strategjia e BE e ka ndaluar përdorimin dhe ndërtimin e landfilleve. Format që mbeten janë ose forma totale të parandalimit, pra përdorimi i çdo materiali të riciklueshëm që për Shqipërinë është akoma luks. Dhe format e tjera në hierarki mbetet incenerimi për prodhimin e energjisë elektrike”, sqaroi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Siç bëri me dije ministri i Energjisë, ishin demokratët para socialistëve që e përfshin në legjislacion këtë teknologji, kur qeverisnin vendin, duke e pohuar këtë si një nga ato raste kur qeveria pasardhëse krenohet me vënien në zbatim të ideve të së parës.

“Ju e keni miratuar në strategji, ne po bëjmë realitet idetë tuaja”, tha ministri.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, iu përgjigj akuzave disamujore të opozitës përmbledhur në interpelancën e thirrur nga demokratja, Jorida Tabaku.

“Data 16 dhjetor e vitit 2014 ka qenë ditë ideale për qeverinë shqiptare. Ka negociuar kontratën, ka kërkuar mendim të gjithë minsitrive të linjës, ka preitur ankesa për koncesionin, ka lidhur kontratën, ka bërë skedulin e pagesave, Ka miratuar me vendim qeverie dhe kontratën finale konçesionare”, i tha znj. Tabaku.

“Pyetja e parë që duhet ti shtroni vetes a e parashikon ligji lidhjen e kontratës pa publikim paraprak në një situatë emergjente? Ligji e parashikon. Pra, si u zgjodh procedura u bë investimi i impiantit dhe sot ky impiant po funksionon”, tha Gjiknuri në përgjigje ndaj saj.

“Nëse procedura për të tre koncesionet është ajo dosje që ju keni sjellë ju sapo bëtë këtu një deklaratë publike që keni shkelur ligjin me të dyja këmbët”, tha znj. Tabaku.

Anëtarët e kabinetit qeveritar bënë thirrje që deputetët të shkojnë në Elbasan bashkë me ekspertët të shohin cilësinë e impiantit, i cili nisi si përgjigje kur shpalli emergjencën Këshilli Bashkiak atje.

Në vitin 2016, kur dhe u aprovua inceneratori i Elbasanit, Gjiknuri tha se në Shqipëri ishin 1 milion e 300 mijë ton mbetje urbane. Shqipëria ricikilon vetëm 15% të mbetjeve, ndërsa pjesa tjetër trajtohet në mënyrë primitive, ndaj Inceneratorët janë përgjigja më e shpejtë për situate alarmante, thotë qeveria.

Top Channel