Në pranga për rrugën e pandërtuar; arrestohen drejtorët e rrugëve nga PD e LSI

02/02/2018 09:03

Andi Toma dhe Dashamir Xhika, të dy ish-drejtorë të përgjithshëm të rrugëve kanë përfunduar në pranga të dyshuar për shpërdorim detyre. Me masë sigurie arrest apo detyrim paraqitje janë edhe 9 persona të tjerë.

Prokuroria dyshon se të gjithë këta persona kanë shpërdoruar detyrën, apo kanë vjedhur gjatë tenderimit të rrugës Elbasan-Gjinar dhe rehabilitimit të këtij aksi rrugor.

Përveç Andi Tomës, ish-drejtor i përgjithshëm nga 2008 deri më 2013 dhe pasuesit të tij Dashamir Xhika, që e drejtoi autoritetin rrugor deri në vitin 2017, janë arrestuar edhe administratori i punimeve, Rexhep Tarba dhe dy adminiëstratorët e firmës që duhet të kishte kryer punimet, Kujtim Hysa dhe Agron Hysa.

Në vendimin që Top Channel disponon vlera e investimit kap shifrën 416 milionë lekë. Por më pas e gjithë vlera ka shkuar ne 500 milionë lekë, që duhet të investoheshin për asfaltim dhe vendosje sinjalistike.

Por, megjithë fondin e konsiderueshëm rezulton se punimet nuk janë kryer. Ekspertët e pavarur të kërkuar nga prokuroria thonë se në total dëmi ekonomik ka një faturë prej 170 milionë leke.

Sipas prokurorisë, edhe pesë kolauduesit që duhet të konstatonin në përfundim të punimeve fiktive se çfarë kishte ndodhur në terren, kanë shpërdoruar detyrën.

Ata kanë paraqitur fakte të rreme, duke përshkruar si ekzistues asfaltimin e rrugës, vendosjen e sinjalisitikës dhe të bordurave anësore. Vetëm për të ekspertuar dëmet për llogari të hetimeve të Prokurorisë, fatura financiare e paguar nga shteti është 18 milionë lekë.

Dosja e Gjinarit është një nga dosjet që ka qëndruar pezulll për një kohë të gjatë në Prokurorinë e Elbasanit dhe qëkur ishte drejt mbylljes, ju hoq nga dora prokurores që po e hetonte Armanda Xhaferri.

Kjo dosje dhe dy dosjet për Kurumin u rikthyen nën hetime intensive më pak se një muaj më parë.

Të arrestuar

Andi Toma , ish-drejtor i Përgjithshëm i ARRSH
Dashamir Xhika, ish-drejtor i Përgjithshëm i ARRSH
Rexhep Tarba, mbikëqyres punimesh
Agron Hysa, administrator
Kujtim hysa, administrator

Nën arrest shtëpie
Rezarta Bokçiu, adminiustratore

Detyrim paraqitje
Lek Tushaj, kolaudues
Astrit Xhafa
Malvina Kalabaliu
Afërdita Basha
Kastëriot Braha

FOTO GALERI
1/4

Top Channel