Politikani katalanas në arrati, Carles Puigdemont, duket se ka pasur një moment dyshimi kur i shkruante një ndihmësi të tij mesazhe, në të cilat thuhej “Mori fund, Madridi ka fituar”.
Mesazhet e tij private u transmetuan në një televizion spanjoll, por pavarësisht kësaj, ish-udhëheqësi katalanas thotë se ai nuk është dorëzuar.
Ai pohoi se kishte pasur një moment dyshimi, por këmbënguli se “Ne do të vazhdojmë”.
Puigdemont ndodhet në Belgjikë që pas shpalljes së Pavarësisë së rajonit, që çoi në akuzat për tradhti dhe mosbindje. Shpallja e pavarësisë pasoi një referendum të shumëdebatuar, që Spanja e shpalli të paligjshëm.
Puigdemont do të merrte pjesë në një shfaqje në qytetin belg Leuven, por një ndihmës i tij e ndali dhe kamera që ndodhej pas tij fiksoi mesazhet e Puigdemontit.
“Pamë ditët e fundit të Katalonjës republikane. Plani i Madridit duket se ka fituar”, shkruante ai.
Duke reaguar pas publikimit të këtyre mesazheve, Puigdemont akuzoi televizionin se kishte shkelur privatësinë e tij dhe tha se vazhdonte të ishte president i Katalonjës.
“Unë jam njeri dhe ka momente që kam dyshime. Unë jam edhe president dhe nuk do të ndalem. Ne do të vazhdojmë të ecim përpara”, shkruajti ai në “Twitter”.
Top Channel