Kryebashkiakja e qytetit pa banorë

30/01/2018 10:37

Kur bashkëshorti i saj ndërroi jetë në 2004, nuk i la pas vetëm tavernën e qytezës dhe trishtimin, por edhe përgjegjësinë dhe barrën për të drejtuar të gjithë qytetin.

84-vjeçarja Elsie Eiler paguan rregullisht taksat, i siguron vetes licencë për alkool dhe cigare dhe është e vetmja banore e mbetur në qytezën Monowi në Nebraska të Shteteve të Bashkuara.

E moshuara respekton ligjet federale. Çdo 4 vite ajo ngjit nëpër rrugët e qytezës njoftimin për organizimin e zgjedhjeve, e më pas shkon të votojë vetë…për veten, duke siguruar 100 për qind të elektoratit si kryebashkiake e qytetit.

Çdo vit i duhet të dorëzojë tek autoritetet federale planin e detajuar për mirëmbajtjen e qytezës, pastrimin, gjelbërimin, ndriçimin dhe për ujësjellësin. Ajo vetë arrin që nga taksat që i mbledh vetes të grumbullojë 500 dollarë në vit, ndërsa pjesa tjetër që nevojitet për t’u siguruar ndriçimi, rrjedhja e ujit nëpër rubinet dhe të tjera shërbime plotësohen nga shteti.

“Aplikoj çdo vit për licencë për alkoolin dhe duhanin. Përgjigjja mbërrin tek sekretarja ime…që jam unë. Pra, marr licencën si sekretare, e firmos si kryebashkiake dhe ja jap vetes si pronare e tavernës”, thotë Elsie me shaka për BBC Travel.

84-vjeçarja pranon se hera-herës ndjen vetminë, por thotë se nuk ka ndërmend që të largohet.

“Jam e lumtur këtu! Këtu jam rritur dhe pas gjithë këtyre viteve, është e vështirë për mua që të ndryshoj ambient”, deklaron ajo.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA