Kreu i opozitës ruse, Alexei Navalny është lënë i lirë pas ndalimit një ditë më parë gjatë tubimit të thirrur prej tij, për të protestuar kundër zgjedhjeve presidenciale të muajit mars.
Avokati i tij i tha shtypit vendas se, Navalny është lënë i lirë pa u ngritur akuza ndaj tij, por i është kërkuar të paraqitet më vonë në sallën e gjyqit, e ndoshta aty mund të përballet me një aktpadi.
Më herët, policia bastisi zyrat e kryeopozitarit në Moskë dhe sekuestroi atje disa pajisje.
Navalnyt, zërit më kritik ndaj Vladimir Putinit, i është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhjet e 18 marsit.
Pak pas prangosjes, ai kishte shkruar në Twitter: Arrestimi i një personi nuk ka asnjë kuptim, nëse ne jemi shumë. Dikush të vijë e të zëvendësojë!
Kreu i opozitës thotë se, votimi i marsit duhet bojkotuar, duke i quajtur ato “pseudozgjedhje”. Arsyeja përse atij nuk i lejohet kandidimi është një dënim i pezulluar me burg, për të cilin Navalny këmbëngul se është krejtësisht i fabrikuar.
Top Channel