Themeluesi suedez i rrjetit të mobilieve IKEA, Ingvar Kamprad, është ndarë nga jeta në moshën 91 vjeçare.
Kamprad, vdiq në shtëpinë e tij në Smaland, njoftoi kompania në një deklaratë për shtyp ku edhe thuhej se Kamprad ishte një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të shekullit të 20. Miliarderi, i lindur në 1926 në Smaland, themeloi IKEA-n në moshën 17 vjeç.
Ai përdori para që babai i tij ia kishte dhënë si shpërblim për rezultatet e mira në shkollë pavarësisht se vuante nga disleksia, për të nisur biznesin. Në vitet e fundit të jetës së tij Kamprad është përballur me pyetje edhe për lidhjet e tij në të shkuarën me grupet fashiste, diçka që ai e ka pranuar por që e ka quajtur një gabim.
Kamprad, kishte hequr dorë nga drejtimi i kompanisë dhe nga bordi i saj që në 2013, në moshën 87 vjeçare. Produktet e kompanisë së tij u bënë të famshme pjesërisht për shkak të thjeshtësisë dhe vlerës së tyre. Kamprad ishte i njohur për thjeshtësinë e tij…Ai ngiste një makinë Volvo të vjetër dhe udhëtonte në klasin ekonomik. Në një intervistë dhënë në 2016, ai kishte thënë se thjeshtësia ishte në natyrën e Smalandit. “Nëse më shikoni tani…nuk do të gjenit asgjë nga këto që kam veshur që nuk është blerë në treg…”, tha ai.
IKEA u çel në 1943 dhe tani ka plot 389 dyqane në të gjithë botën.
Top Channel