Dita e Holokaustit, përkujtohet çlirimi i kampit të Auschwitzit

27/01/2018 14:25

Bota shënon sot Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, që përkon me përvjetorin e çlirimit të kampit të “Auschwitz”-it në vitin 1945.

Muzeu i Memorialit të Holokaustit në Uashington priti zyrtarë nga e gjithë bota për të kujtuar gjenocidin.

“Zëri i Amerikës” citon ambasadorin e Bashkimit Europian, David O’Sullivan, të pohojë se muzetë që kujtojnë Holokaustin janë të një rëndësie kyçe për gjeneratat e ardhshme, sepse i ndihmojë ato të mësojnë rreth mizorive të së kaluarës.

“Brezi i ri ka nevojë për njerëz, për histori dhe vende, përmes të cilave kujtesa mund të mbahet e gjallë, por edhe për të siguruar që ne ta mbajmë premtimin e bërë në fund të Holokaustit: Kurrë më”, tha në fjalën e tij ambasadori O’Sullivan.

Zyrtarët e muzeut lexuan gjithashtu një letër nga Dr. Muhammed Al-Issa, sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Botërore Myslimane me seli në Arabinë Saudite, i cili shkruante:

“Kush në mendjen e tyre të drejtë do të pranonte, simpatizonte apo madje do të pakësonte masën e këtij krimi brutal?”.

Zonja e parë Melania Trump ishte mes atyre që vizituan Memorialin e Holokaustit në Uashington dhe shkroi më pas në “Twitter” se kishte përjetuar “vizitë të fuqishme dhe tronditëse”. Postimin e shoqëroi me një foto të sajën duke ndezur një qiri në Murin e Lutjes.

Top Channel