Çeki, prorusi Zeman fiton mandatin e dytë si president

27/01/2018 16:41

Presidenti çek Milos Zeman fitoi një mandat të dytë në krye të vendit, pas balotazhit të luftuar ngushtë ndaj rivalit të tij, Jiri Drahos.

Zeman, një politikan prorus dhe kundërshtar i ashpër i emigracionit, mori 52% të votave, duke mposhtur ngushtë Drahosin, një adademik proeuropian pa përvojë të mëparshme politike.

Pikërisht kësaj të fundit i mëshoi më fort gjatë fushatës elektorale presidenti Zeman. Ndërsa hidhte votën e tij në balotazh, Zeman tha se rivali i tij Drahos nuk kishte përvojë politike dhe se në kohët që po jeton Europa, kjo është e domosdoshme.

Pavarësisht se humbi, Drahos falënderoi mbështetësit e tij dhe premtoi se energjia opozitare nuk do të mposhtet.

Zgjedhjet, për shkak të dy kandidatëve diametralisht të kundërt, reflektuan një ndarje të thellë në shoqërinë çeke. Njerëzit me të ardhura dhe arsim të ulët, si dhe ata që jetojnë në zonat rurale, që votojnë zakonisht për Zeman, ndërsa më të pasurit e më të shkolluarit, që banojnë në qytetet e mëdha preferuan Drahosin.

Posti i presidentit çek është gjerësisht ceremonial, por gjithashtu shumë me ndikim. Për shembull, është presidenti ai që zgjedh politikanin që mund të formojë qeverinë.

Top Channel