Nga e hëna nisin 10 ditë fushatë ndërgjegjësimi për pagesën e faturave të prapambetura të ujit të pijshëm dhe lidhjen e kontratave të reja. Ndëshkimet ligjore për abuzuesit nisin nga 1 shkurti dhe kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj edhe si kryetar i shoqatës për Autonomi Vendore, paralajmërimin e parë e ka për bizneset.

“Pra, në fillim duhet identifikuar grosisti i madh, i cili o prodhon birrë, o prodhon ujë të pijshëm, dhe konsumon mjaftueshëm ujë të pijshëm me një sahat sikur të ishte familjar”, u shpreh ai.

Duke sjellë si shembull pozitiv Tiranën, Veliaj u tha kolegëve se rritja e performancës së ujësjellësve tërheq dhe investitorë. Po në këtë kuadër e vlerësoi si të drejtë shpalljen nga kryeministri Rama të reformës së ujit si kusht për rikandidimin e kryebashkiakëve socialistë.

“Kryeministri është treguar shumë i drejtë me secilin prej nesh kur ka thënë se një ndër arsyet kyç për vendimmarrjen e rikandidimit të anëtarëve të shoqatës sonë dhe kryetarëve të bashkive do të jetë menaxhimi i ujit. Për të gjithë ne ujësjellësi është ndërmarrja kryesore që kemi. Nëse si bashki mund të kemi karakteristika të ndryshme, një gjë na bashkon: jemi menaxherë të një ndërmarrje dhe aftësitë tona menaxheriale do i tregojmë sa jemi të aftë të menaxhojmë këtë ndërmarrje, që pothuajse e kemi të gjithë njësoj në terma të performancës të asaj që kemi”, thekson kryebashkiaku.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se në dy vjet qytetarët u ndërgjegjësuan për rëndësinë e ruajtjes së pasurisë publike, duke hedhur dhe një thumb për protestat e opozitës.

“99% e qytetarëve do rend, qetësi, pastërti, do që shteti të respektohet, që prona publike të mos dhunohet. Gjithmonë do të ketë mitingashë që duan rrumpallë, por shumica është me të drejtën dhe shumica do një shtet dhe një qytet funksional”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA