Kur sistemi imunitar ndihmon tumorin të rritet, si një sinjal inflamator mund të kthejë qelizat imune në “aleate” të kancerit Shkencëtarët kanë hedhur një hap të madh përpara, drejt një prej prioriteteve kryesore të mjekësisë: një analizë universale gjaku për kancerin.
Një ekip i Universitetit “Johns Hopkins” testoi për herë të parë një metodë që dikton 8 lloje të sëmundjes. Vizioni final i tyre, sigurisht nëse teknologjia do të funksionojë siç pritet, është një test i detyrueshëm i përvitshëm që të zbulojë kancerin në fazat e para dhe të shpëtojë jetë.
Ekspertë britanikë thanë se, rezultatet e para të metodës së re janë shumë emocionuese. Megjithatë, ata pranuan se ka nevojë për më shumë punë, për të vlerësuar efektshmërinë e diktimit të tumoreve në fazat e para.
Tumoret çlirojnë gjurmë të vogla të ADN-së së tyre mutante dhe proteinat që krijojnë në gjak. Analiza e re kërkon pikërisht këto, ose më saktë mutacione në 16 gjene që zhvillohen nga kanceri dhe 8 lloje proteinash që çlirohen.
Metoda e re u testua me 1.005 pacientë me kancer në vezore, mëlçi, stomak, pankreas, zorrën e trashë, ezofag, gjoks dhe mushkëri, që nuk ishte përhapur në organe të tjera.
Analiza zbuloi praninë e kancerit nga shqyrtimi i gjakut në 70% të rasteve. Shkencëtarët thonë se metoda e re është ende në përmirësim e sipër, por nëse ajo do të mundësojë zbulimin e kancerit, atëherë kur është ende e mundur të hiqet kirurgjikalisht, ndryshimi për pacientët do të ishte si nata me ditën.
Top Channel