Këtë fundjavë rrugët e Londrës do të transformohen ndërsa edicioni i dytë i ‘Lumiere London’ do të ndriçojë qytetin.
Festivali sjell më shumë se 50 vepra arti me drita të inkoorporuara në të gjithë qytetin. Punimet e krijuara nga artistë britanikë dhe ndërkombëtarë, përfshijnë abazhurë të përmasave të mëdha, projeksione në Westminster Abbey dhe një fushë idilike lulesh.
“Harrojeni grinë e janarit, ‘Lumiere London’ premton të jetë një nga periudhat më të shndritshme dhe ekzaltuese të vitit”, tha kryebashkiaku Sadik Khan në një deklaratë. Kjo sipas tij është një mundësi e shkëlqyer për të parë arkitekturën ikonike të Londrës dhe rrugët e saj në një mënyrë krejtësisht të ndryshme.
Eventi i këtij viti, shtrihet në lagjet në qendër të Londrës, por edhe në ato përgjatë bregut jugor të Tamizit. Syri i Londrës, Teatri Kombëtar dhe Galeria Hayward, janë ndër atraksionet kryesore. Festivali inaugurues i Londrës në 2016-ën tërhoqi më shumë se 1.3 milionë vizitorë gjatë katër netëve. Londra, i bashkohet me këtë festival një numri qytetesh të tjera si Praga, Amsterdami, Montreali, Singapori dhe Tokio.
Top Channel