Fiks Fare ka risjellë sonte në vëmendje gjendjen e rrugëve në fshatrat e Shqipërisë, konkretisht në tre fshatra të Gramshit, Kukur, Holtas dhe Kabash. Banorët ankohen se prej disa vitesh kanë kërkuar të ndërtohen rrugë për fshatrat e tyre, pasi po rrezikohet jeta e fëmijëve, të cilët janë të detyruar të ecin mes shkëmbinjve për të shkuar në shkollë, po nuk kanë marrë një përgjigje pozitive.

Gazetarët e Fiksit, fillimisht shkuan në fshatin Kukur, ku banorët tregojnë se janë rreth 18 km rrugë të pashtruara, që ua premtojnë sa herë vijnë zgjedhjet, por që deri më sot nuk është ndërtuar. Ata thonë se pikërisht për shkak të rrugës së amortizuar, ata duan rreth 2 orë për të shkuar në Gramsh. Ata thonë se të gjitha problemet e tjera që kanë, nuk ankohen, por të paktën duan rrugë.

Të njëjtën ankesë sollën në Fiks Fare edhe banorët e fshatit Holtas, të cilët thonë se në fshatin e tyre nuk është ndërtuar kurrë një rrugë. Ata thonë se disa rregullime të vogla janë bërë vite më parë nga një firmë private, e cila shfrytëzoi pyllin për dru zjarri, por që sivjet është bërë dhe më keq. Madje, ata duhet të kalojnë përmes lumit Holta për të shkuar në qendrën e njësisë më të afërt administrative, Poroçan, por që gjatë dimrit, për shkak të reshjeve, ky lumë fryhet dhe kalimi bëhet i pamundur. E vetmja mundësi kalimi është një urë e vogël pasarelë, e cila duket tejet e amortizuar dhe në kohë reshjesh bëhet e rrezikshme për jetën e banorëve. Pikërisht në këtë urë kalojnë edhe fëmijët që shkojnë në gjimnaz, ndërsa fëmijët e 9-vjeçares rrezikojnë mes shkëmbinjve. Ata duhet të rrezikojnë mes gurëve, pasi një rrugë kalimtarësh që ka qenë, është shembur. E pavarësisht këtyre peripecive, ata shkojnë në një shkollë që është ndërtuar në vitin 2006, por që nuk ka as drita, as ujë dhe as tualete. Madje, kushtet skandaloze duket qartë që kanë ndikuar edhe në nivelin mësimor, pasi nxënësit e klasës së shtatë dhe të nëntë, kanë probleme në lexim. Disa prej tyre lexojnë me rrokje, si nxënës të ciklit të ulët.

Por, situata nuk duhet aspak më mirë as në fshatin Kabash, pavarësisht se është më pranë Gramshit. Rruga është si në mesjetë dhe banorët ankohen se prej vitesh nuk kanë ujë. Ata tregojnë për Fiks Fare se është ndërtuar një ujësjellës, por asnjëherë nuk është vënë në punë. Gjatë stinës së verës, ata detyrohen të mbushin ujë me gomarë. Ndërsa shkolla i ngjan një kasolleje, e cila është pa drita dhe plot lagështirë. Kurse qendra shëndetësore shërben vetëm për ndonjë konsultë, pasi nuk ka energji elektrike dhe aty nuk mund të bësh asnjë shërbim.

Por, të gjithë banorët theksin kryesor e vendosin te rrugët, duke kërkuar që të paktën të kenë mundësinë të lëvizin dhe mos të mbeten të izoluar. Për këtë, Fiks Fare pyeti edhe Bashkinë e Gramshit. Kryetarja e Bashkisë së Gramshit deklaron se rruga e Kukurit është një ndër rrugët më me prioritet për bashkinë, por situata e rrugëve ndodhet problematike pothuajse në të gjitha fshatrat. Për rrugën e Kukurit është realizuar edhe një projekt me vlerë rreth 5 milionë Euro, por që bashkia nuk e përballon ndërtimin e saj, megjithëse kanë marrë premtime se do të financohet nga pushteti qendror

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA