Mazhoranca thotë se propozimi për ndryshimin e rregullores së Kuvendit bëhet për të reflektuar ndryshimet kushtetuese.
“Ndryshimet e propozuara në rregullore janë njoftuar prej shumë kohësh, që kanë të bëjnë me domosdoshmërinë e momentit. Kjo rregullore reflekton ndryshimet kushtetuese të bëra prej disa vitesh, ndryshimet kushtetuese të 2012, ato të 2016, ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha në një konferencë për shtyp kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Si rast të mospërputhjes së rregullores së Kuvendit me Kushtetutën, Taulant Balla solli shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për Saimir Tahirin në Këshillin e Mandateve.
“Kjo ka qenë një kërkesë e hershme, nëse Kuvendi do të respektojë rregulloren apo Kushtetutën, si në rastin e deputetit Saimir Tahiri, ku nëse Këshilli i Mandateve do t’i referohej rregullores do të ishte gabim”, u shpreh ai.
Balla tha se nuk po ndryshohet asnjë ligj, por vetëm për përshtatet rregullorja me Kushtetutën. Ai hodhi poshtë akuzat e kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili tha më herët se propozimi i mazhorancës është një ligj i posaçëm për t’iu shmangur drejtësisë.
“Basha nuk di të bëjë dallimin mes rregullores së Kuvendit dhe ligjit”, deklaroi ai.
Top Channel