Pallati i rrezikuar, Shërbimi Gjeologjik: Frenoni rrëshqitjen e shpatit

18/01/2018 12:55

Situata e rrëshqitjeve në Gjirokastër vijon të mbetet problematike edhe pas konkluzioneve të raportit të dytë gjeologjik.

Çano Nora drejtues i Shërbimit Gjeologjik në Gjirokastër sqaron se rekomandimet e ekspertëve sugjerojnë kthimin në banesa të familjeve të evakuuara, çka duhet shoqëruar me masa të menjëhershme frenuese të fenomenit të rrëshqitjes në shpatin e kodrës së lagjes “Punëtore”.

“Banorët e pallatit dhe vilës 3-katrëshe të rinë në banesat e tyre dhe t’i kthehen jetës normale. Masat mbrojtëse do të fillonin që tani. Meqë është përkeqësuar situata nga reshjet e fundit pritet një situatë tjetër që të ndërhyhet me masat përfundimtare që janë më komplekse, siç janë pilotat dhe muret mbajtëse”, thotë gjeologu Çano Nora.

Situata është edhe më problematike për 9 familje të lagjes historike Cfakë. Banesat të paktën 200 vjeçare janë të rrezikuara. Për këtë arsye, drejtuesi i shërbimit gjeologjik apelon për një marrëveshje mes banorëve dhe bashkisë për të parandaluar shkarjen përfundimtare të shpatit.

“Një zonë problematike për Gjirokastrën mbetet dhe lagja Cfakë, pjesa veriore e saj. Bashkia duhet të hyjë në negociata me banorët. Banorët duhet të ikin nga banesat po duhet dhe një afat kohor se kur do të fillojë ristrukturimi i banesave dhe kur do të mbarojë, se pa afat kohor, kur të ketë investime apo të lirohen nga punët e tjera institucionet dhe pushteti vendor, zgjat shumë”, thotë Nora.

Reshjet e fundit duket se kanë futur në emergjencë shumë zona në Gjirokastër. Një masiv dheu u shkëput së fundi prej skarpatit të rrugës pas kalasë së qytetit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA