Fiks Fare denoncoi abuzimet ndër vite të strukturave shtetërore me kompaninë e përpunimit të naftës, “ARMO”.

Nga viti 2008, deri në ditët e sotme, kompanitë që e administruan, kanë krijuar një borxh prej më shumë se 600 milionë euro. Lojërat e politikës, por edhe keqmenaxhimi i firmave që kanë tentuar që të vënë në punë rafinerinë, kanë sjellë një dëm të pallogaritshëm. ARMO ka borxhe ndaj punëtorëve, doganave, tatimeve, bashkive, OSHEE-së, ALBPETROL-it, bankave, furnitorëve, etj.

“Fiks Fare” ka ndjekur hap pas hapi të gjithë aferën ARMO, duke shfletuar dokumente dhe intervistuar aktorët kryesorë; punëtorët, ish-drejtorët e rafinerisë, ish-ministrat e Ekonomisë. “Taçi me ato humbjet e tij, rishitjen e bëri bashkë me shtetin, aty firmosi ministri Bode, ja dha azerbaxhanasve, 1 javë para zgjedhjeve, në qershor 2013. Kjo ishte skandaloze, shteti s’duhet të hidhte firmë. Këtu shteti mbylli sytë, grupe mafioze s’ka në naftë, por ka edhe në qeveri” thotë një prej punëtorëve. Para pak ditësh, ashtu siç ka ndodhur rëndom vitet e fundit, punëtorët e varfër kanë dalë në protestë; prodhimi ka ndalur! Për pasojë, 1500 punëtorë, në Ballsh dhe Fier, sërish janë në mëshirë të fatit.

Borxhi shtetëror i ARMO
Për të gjithë problematikën e ARMO-s, Fiks Fare i dërgoi kërkesë zyrtare Ministrisë së Financave, e cila na ktheu përgjigje se deri në datë 16 nëntor 2016, “detyrimi tatimor gjithsej i papaguar (borxhi në tatime) i ARMO është 23,35 miliard lekë nga të cilat; 9 miliardë në tatime, 12.3 miliardë gjoba dhe 2 miliardë kamatëvonesa. Sipas ministrisë së Financave, detyrimi në total i përket; 1.57 miliardë para privatizimit, 1.58 miliardë shtet-privat dhe 20.1 miliardë pas privatizimit. Sipas periudhave, tatimet i përkasin; 6 miliardë detyrime të vitit 2010 e më parë, 15.1 miliardë të periudhës 2011-2014 dhe 2.2 miliardë të periudhës 2015-2016.

Ndërkohë, nga nëntori 2016, deri në dhjetor 2017, ARMO shtoi borxhin në shtet me 50 milionë euro detyrime të papaguara. Nga ana tjetër, në kohën kur menaxhohej nga biznesmeni Rezart Taçi dhe azerbaxhanasit, ARMO nuk pagoi disa herë pagat e 1500 punëtorëve. “Janë 12 paga të prapambetura (2015 dhe 2016). Na u premtua se do i marrim. Hodhëm kompaninë ARMO në gjyq. Por, edhe pjesën e shtetit. Janë rreth 7 milionë euro detyrime ndaj punëtorëve” thotë një prej punëtorëve. Detyrime ka edhe ndaj OSHEE-së dhe Bashkisë së Mallakastrës. “Detyrimi që ARMO i ka OSHEE-së shkon në 1.4 miliardë lekë të reja” thotë Ardian Kola, zëdhënës i OSHEE-së. Pyetjes përse u lejua ky borxh, ai shton se ka qenë vendimmarrje e vështirë për t’i ndaluar energjinë, pasi në kontratën e ARMO-s është edhe ujësjellësi i Poçemit.
Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, thotë se ARMO i ka bashkisë 700 milionë lekë detyrime të akumuluara. “Nuk e dimë kush janë pronarët. Nëse rafineria nuk punon, paralizohet i gjithë qyteti, pasi ka papunësi. Me këto lekë mund të bënim shumë punë në qytet. Nuk dimë kujt t’ia kërkojmë” thotë ai.

Por, a ka ndonjë përgjegjës për këtë dëm në kurriz të punëtorëve dhe taksapaguesve? Megjithëse ka pasur kallëzime penale, akuza ndaj njëri-tjetrit mes kryeministrave, ministrave, drejtorëve, deri më sot askush nuk mban përgjegjësi.

ARMO me fitim në shtet, me humbje në privat
Rafineria e Fierit është ndërtuar në vitin 1968, ndërsa kombinati në Ballsh u vu në shfrytëzim në vitin 1975. Deri në vitin 1999, rafineritë ishin në pronësinë e ALBPETROL-it, vit në të cilin u themelua ARMO. Ish-drejtori Përparim Hajnaj në vitet 2003-2005, thotë se kompania kur ishte 100 % shtetërore dilte me fitim. “Për vitin e parë e nxorëm 2.5 milionë USD (2003), ndërsa në 2004 doli me 3.7 milionë USD. Kishim 2 mijë punëtorë me rrogë mesatare 40 mijë lekë të reja. Përveç detyrimeve ndaj shtetit, si akciza, TVSH-ja, taksa e karbonit, apo taksat e tjera, që paguheshin, paguam 5 milionë USD të prapambetura. Në 2003 i paguam shtetit 30 milionë USD, në vitin 2004 paguam 35 milionë” thotë Hajnaj.

Problemet e rafinerisë kanë filluar pas privatizimit nga biznesmeni i hidrokarbureve Rezart Taçi. Në vitin 2008, ai mori në kontroll 85% të aksioneve të ARMO nëpërmjet kompanisë AMRA Oil, për 128 milionë euro. AMRA ishte regjistruar në Zvicër dhe në SHBA. Mori një kredi nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit.

“Unë besoj se i gjithë dështimi i ARMO-s ka qenë procesi i privatizimit. Në fund të vitit 2005 ne e përgatitëm ARMO për privatizim, vlera e ARMO-s në atë kohë ishte 50-60 milionë. Ne nuk e finalizuam privatizimin, s’na u dukën kompani serioze. Ne i s’kualifikuam kompanitë, s’kishte biografi të mirë të përpunimit të naftës. Është për të ardhur keq që ARMO përfundoi në këtë pikë që është sot. Është keq menaxhuar, nuk janë kontrolluar kontratat pas privatizimit, duhet të bënin investime. Duhet investime për ta nxjerrë naftën me 0.001 squfër. Fajin e kanë strukturat shtetërore, që duhet ta kontrollonin ARMO, kontratat, investimet që duhet të bënin” vijon Hajnaj.

Gjatë administrimit të AMRA Oil, rafineria punoi fare pak. “Nga 2008 deri në 2013 kompania ka punuar 6 muaj e gjitha. Behej ajo rruga mafioze, që merrej nafta këtu dhe përpunohej në det dhe vinte prapë. Blihej me 400 dhe e fuste në treg me 1700. I dilte leverdia. Si Taçi dhe Azerbaxhanasit lanë kolateral uzinën, një uzinë me 100 ha tokë, vetëm për hekur bën 200 milionë USD. Ne kemi bërë kallëzim në prokurori. Janë xhiruar 400-500 milionë euro borxhe” thotë një punëtor. Ndërkohë, me manovra të tjera, AMRA Oil arriti të mashtronte disa banka, duke marrë dhjetëra milionë USD. “Ça ka bërë Taçi këtu është me tërë mënd për t’u bërë film më vete. Po ti quaj këta që janë të gjithë rezervuar dhe në qendër të tyre futej ndonjë tub me diametër më të vogël dhe i mbushtë të gjithë (tubat). Kur vinin bankat për të vënë kredi u thoshte; ky rezervuari është plot me naftë. Tubi vihej… dhe këtej ishte e gjithë bosh. I kanë të gjitha tubat rezervuarët. Ja thoshte janë plot, plot, plot… Ai kishte dy kuintal” thonë ata. Abuzimet me ARMO-n u zbuluan në vitin 2014, pas një auditi nga kompania azere, e cila bleu paketën e aksioneve të AMRA Oil për 50 milionë euro në qershor të vitit 2013, disa javë para zgjedhjeve parlamentare.

Fatjon Veizaj e drejtoi kompaninë në vitet 2013 dhe 2014, në kohën kur u ble nga azerët. “Kur e kishin azerbaxhanasit ka punuar 9 muaj. ARMO ka pasur borxhe, ka bërë marrëveshje me furnitorët, me institucionet. Pas vitit 2013 janë investuar 130-150 milionë USD, për ristrukturimin e borxheve për pagesa furnitorësh, për pagesa punëtorësh dhe për investime” thotë ai.
Ende edhe sot, pakkush e di si u bë kalimi i pronësisë nga azerbaxhanasit te kompania IRTC. “Duhet të jetë një marrëveshje e institucioneve financiare që e kanë financuar, pra e kanë si kolateral ARMO-n. Azerbaxhanasit nuk duan të bëjnë më me të. Se kanë shitur. S’duan më të dëgjojnë më për të. Ata s’kanë shpallur faliment, por s’kanë bërë asnjë vendimmarrje” vijon Veizaj.

Ndërkohë, Hajnaj thotë se shteti ka 15 përqind të aksioneve te ARMO, është aksioner duhet të vendosë. “Unë e shoh një tymnajë në informacion. Kam qenë drejtues i lartë, nuk e di si ka kaluar nga kompania që e privatizoi në disa kompani radhë, kanë detyrime ndaj shtetit. Kompania duhet t’i hiqet privatit. Ne kishim një xhiro 100-120 milionë USD në vit. Kompanitë private kanë pasur xhiro deri në 220 milionë USD në vit. Me këtë xhiro që me çmimet që kanë qenë, dhe detyrimet duhet të ishin shlyer. Është e pakuptueshme, s’mendoj se është paaftësi” përfundon ai.

Ish-ministrat: Duhej kontroll nga financat
Fiks Fare bisedoi edhe me ish-ministrin e Ekonomisë Genc Ruli. “ARMO ishte një kompani që nxirrte një fitim minimal kur ishte shtetërore. Shifrat shkonin deri në 10 milionë euro” thotë ai, ndërsa shton se firma që e privatizoi u verifikua. “Verifikimet janë bërë. Është tjetër problem kur kompania çorientohet dhe me ARMO-n kjo ndodhi. Pronari i ri u çorientua në politikat e tij. Borxhi është krijuar vit pas viti, kryesisht ishin detyrime ndaj bankave dhe ndaj tatimeve. Borxhi është përgjegjësi tregtare, është përgjegjësi e kompanisë. Nëse tatimet janë treguar tolerante, edhe ato mund të kenë përgjegjësinë e tyre” përfundon Ruli.

Ndërkohë, një vit më parë, Fiks Fare, intervistoi edhe ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, tashmë të ndjerë. “Në kohën kur isha ministër, ARMO ishte privatizuar. Ishte në një situatë problematike. Kishte një borxh ndaj Albpetrolit, 30 milionë USD. Borxhet ishin të trashëguara, po kishte edhe borxhe të reja” tha Prifti, duke shtuar se rafineritë tona janë të vjetra. “Duhen investime 200 milionë euro. Në gjendjen që ato janë, askush nuk fiton lekë nga ky biznes. Nuk del efiçentë. Nuk ka fitim. Aty fiton nëse bën pisllëqe. Siç bëri ajo në fillim që e privatizoi, e la shteti 40-50 milionë USD borxhe në taksa, ato para futi në xhep. Një tolerim ka pasur nga ministria e Financave. Unë e di që ndaj disa subjekteve të tjera, nëse nuk i paguan 1, 2, 3 muaj, tatimet bllokojnë llogaritë bankare. Ministria e Financave duhet të kishte qene më e vëmendshme” vijon ai, ndërsa në fund tha se “shteti duhet të nxjerrë përgjegjësitë, kush janë personat përgjegjës që arritëm deri këtu. Duhet të nxirret një mësim, nga personat që kanë detyrë për të mos lënë situatën deri këtu”.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA