Nuk ka asnjë shenjë jo normale te Donald Trump dhe ai gëzon shëndet të plotë. Presidenti amerikan u vizitua nga mjeku i Shtëpisë së Bardhë, i cili sqaroi për gazetarët se, në këtë drejtim nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
“Nuk kam asnjë merak për sa i takon aftësisë njohëse apo funsioneve të tij neurologjike. Të gjitha të dhënat tregojnë se presidenti është plotësisht i shëndetshëm e do të mbetet i tillë deri në fund të mandatit të vet”, tha Ronny Jackson, mjek i Shtëpisë së Bardhë.
Trumpi 71-vjeçar iu nënshtrua javën e kaluar një ekzaminimi triorësh, “check up”-i i tij i parë që prej marrjes së postit.
Lëvizja e republikanit erdhi në vazhdën e publikimit të një libri fshikullues mbi figurën e tij, nga ku morën hov spekulimet mbi shëndetin mendor të kreut të administratës amerikane.
Doktor Jackson, që është kujdesur edhe për paraardhësin e Trumpit, Barack Obama, këmbëngul në të kundërtën.
I pyetur nga një gazetare në sallë sesi ka mundësi që të jetë në formë kaq të mirë fizike një njeri, sidomos i asaj moshe, i cili konsumon pula të skuqura, pije me gaz dhe nuk bën ushtrime fizike, mjeku iu përgjigj: Epo, kjo quhet gjenetike. Ka gene fantastike.
Jackson, megjithatë e pranoi se një dietë më e rregullt ushqimore dhe pak më shumë lëvizje mund t’i sjellin presidentit goxha përfitime. Të premten, Trump u ekzaminua nga mjekë ushtarakë të qendrës mjekësore “Walter Reed” në Maryland, e rezultatet e testeve, siç thanë burime pranë tij, ishin mjaft të mira.
Top Channel