Zgjedhjet presidenciale në Çeki do të vendosen nga balotazhi, pasi presidenti aktual Milos Zeman mori më shumë vota në raundin e parë, por nuk mundi të kalojë 50 përqindëshin për të fituar.
Mediet çeke raportojnë se Zeman mori 39% të votave, në krahasim me rivalin e tij më të afërt, Jiri Drahos, që siguroi 26.3%.
Balotazhi ishte rezultati i pritshëm i zgjedhjeve, që deri tani nuk kanë sjellë asnjë surprizë, me përjashtim të protestës tashmë të famshme gjysmëzhveshur, që një aktiviste e Femen bëri në momentin kur Zeman po votonte.
Aktivistja, që u ndalua menjëherë, e quajti Zemanin një marionetë të Putinit. Në fakt, qëndrimi prorus i presidentit 73-vjeçar, që kërkon mandatin e dytë, është tema e ditës në Çeki dhe ka ngjallur mjaft polemika.
Zeman është kritiku më i madh në Europë i sanksioneve kundër Moskës, e gjithashtu ka shndërruar në prioritet përmirësimin e raporteve me Kinën. Analistët thonë se rivali i tij kryesor, Jiri Drahos, e di që ka mundësi të mirë për të rrëzuar Zemanin nga posti në përballjen kokë më kokë, pasi pritet që ata që votuan për kandidatët e tjerë, të votojnë për të në balotazh.
Ky i fundit do të zhvillohet në datat 26 dhe 27 janar.
Top Channel