Manchester United ka kompletuar një “trekëndësh” intrigues në merkaton e futbollit anglez, duke iu bashkuar rivalëve të të njëjtit qytet në blerjen e mundshme të Alexis Sanchez.
“Djajtë e kuq” kanë hyrë në mënyrë surprizë në ankandin virtual të hapur nga Arsenali, për të përfituar sa më shumë nga shitja e futbollistit kilian, në muajt e fundit të kontratës.
Alexis Sanchez e ka gjetur tashmë akordin me skuadrën e Pep Guardiolës, për 280 mijë euro në javë, me Cityn që ka bërë një ofertë prej 24 mln eurosh e që duket se kënaq të gjitha palët.
Arsenal nuk i është përgjigjur ende kërkesës zyrtare, por tani sipas medieve, Manchester United është futur në garë duke bërë një ofertë prej 28 milionë eurosh.
Sanchez do të fitonte më tepër tek United sesa me “Citizens”, me Mourinhon që ka besim se mund të fitojë garën për yllin e “topçinjve”, edhe si një revansh të qartë se ka yje që preferojnë portugezin, kundrejt Guardiolës.
Arsenalit i është ofruar gjithashtu Henrikh Mkhitaryan, por rroga e lojtarit është një problem për londinezët, e cila është rreth 220 mijë euro në javë.
Alexis Sanchez e nisi nga pankina derbin e mesjavës kundër Chelseat në Kupë, por futja e tij në lojë dha menjëherë efekt, pasi në jo pak aksione mbrojtja e “bluve” u fut në panik nga inkursionet e kilianit.
Top Channel