Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, në dy komunikime paralele për mediat, kanë njoftuar fillimin e një aksioni të përbashkët opozitar me protesta dhe marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin. Por data e protestës së parë pritet të shpallet nga zoti Basha të martën, pas një konsultimi të fundit me strukturat e partisë demokratike dhe grupin parlamentar.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti të hënën në një mbledhje të përbashkët aleatët e tij politik për të vendosur për protestat. Teksa ora shënonte 9:58 minuta, të parët që erdhën në selinë e PD-së ishin, Agron Duka, Dashamir Shehi, dhe Fatmir Mediu.

Ndërsa disa minuta më vonë mbërriti edhe Nard Ndoka. I vetmi aleat që mungoi në këtë mbledhje ishte Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ-së.

Mbledhja, e cila zgjati rreth 1 orë e gjysmë, nuk përcaktoi datë për fillimin e protestave, duke e shtyrë vendimin për ditën e martë pas mbledhjes me grupin parlamentar dhe kryetarët e degëve, megjithëse një opsione mund të jetë data 27 janar. Zoti Basha tha se në mbledhje u vendosën piketat për kalendarin e veprimeve që do të përfshijë të gjitha shtresat e shoqërisë.

“Opozita e ka marrë këtë angazhim në një kohë kur 300 mijë shqiptarë nuk sigurojnë dot bukën e gojës, kur 49% e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e ujit dhe të dritës. Dhe krimi i veshur me pushtet dhe pushteti i bërë njësh me krimin, me figurën e Edi Ramës bëhet gati të fillojë aksionin për ujin”, tha Basha.

Ndërsa lirimin nga detyra të drejtorit të policisë së shtetit, Haki Çako, Basha e cilësoi si një hap të vonuar.

“Është një tjetër tregues i krizës se thellë në të cilën e ka zhytur krimi institucionin e Policisë së Shtetit. Por padyshim që Haki Çako është siç ishte një “kokë turku” sepse kupola e drogës drejtohet nga Edi Rama, nga Saimir Tahiri, siç e di gjithë bota tani, natyrisht edhe nga Fatmir Xhafa”, u shpreh kreu i PD.

Zoti Basha tha se do ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, por përjashtoi përsëritjen e bojkotit të opozitës në çadër.

Kryemadhi: LSI platformë bashkëpunimi me PD

Ndërkaq, në një bashkëbisedim paralel me gazetarët nga selia e LSI-së, kryetarja e Monika Kryemadhi foli për bashkëpunimin e pritshëm me demokratët.

“Fronti opozitar tashmë do të marrë një dimension të ri politik, i cili do të konkrentizohet me një bashkëpunim politik, me marrëveshje të qarta politike me PD dhe do të ndërtojmë bashkërisht një platformë të qartë politike për sa i përket të ardhmes, kjo përfshin protestat dhe të gjithë axhendën tonë politike në të ardhmen”, u shpreh Kryemadhi.

Për Kryemadhin, protestat do të kenë në qendër të vëmendjes problemet që prekin familjet shqiptare, duke nisur që nga varfëria, taksat e larta e deri tek kapja e shtetit nga krimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA