Libri për Trump, avokatet duan të pengojnë botimin

04/01/2018 18:01

Avokatët e presidentit amerikan Donald Trump po përpiqen të pengojnë botimin e një libri që përfshin deklarata shpërthyese mbi presidencën e tij.

Libri i gazetarit, Michael Wolf, “Zjarr dhe Zemërim; Brenda Shtëpisë së Bardhe të Trump’ pritet të dalë në treg të martën. Përfaqësuesit ligjor të Trump kërkojnë që autori dhe shtëpia botuese të heqin dorë menjëherë nga botimi e shpërndarja e librit e sipas Washington post po konsiderojnë të ngrenë akuza për shpifje.

Në libër ish-kryestrategu i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, citohet ta cilësojë takimin e djalit të Trump me rusët si një tradhti. Gjithashtu atje hidhen dyshime mbi aftësitë e Trump për postin, thuhet se vajza e tij Ivanka ka ambicie presidenciale dhe se bashkëshortja Melania kishte qarë natën që ai u zgjodh president.

Një tjetër deklaratë e fortë është ajo se ekipi i fushatës së Trump ishte shokuar e tmerruar nga fitorja e tij. Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë pretendimet e librit, duke i quajtur ato të pavërteta ndërsa kreu i Shtëpisë së Bardhë tha më herët se Bannon kishte humbur mendjen pas shkarkimit nga detyra.

Libri bazohet në 200 intervista, por Abc News raporton se sipas avokatëve të Trump atje nuk përmenden burimet për shumicën e deklaratave më të forta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA