Plehrat pushtojnë Romën në festat e fundvitit (Foto)

29/12/2017 22:24

Male mbeturinash janë ngritur nëpër Romë që pas natës së krishtlindjes, me disa banorë që kanë filluar ti djegin ato në shenjë proteste ndaj administratës lokale që nuk ka mundur të përmbushë premtimin për të sistemuar plehrat e qytetit.

Skena me kazanë plehrash të tejmbushur dhe me thasë të carë me mbeturina, dominojnë në medien sociale, ndërsa mbledhja e tyre nga kompania e shërbimeve publike është penguar nga ditët e pushimit dhe nga reshjet e dendura.

Sipas banorëve të Romës, kjo situatë tashmë është kronike, në këtë periudhë të vitit dhe situata po vjen duke u përkeqësuar. Roma qeveriset nga lëvizja ‘5 yjet’, që kryeson në sondazhet e opinionit publik para zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen më 4 mars, me Virxhinia Raxhin në postin e Kryebashkiakes që nga qershori 2016.

Zgjidhja e krizës së plehrave, ishte një nga premtimet kryesore të saj gjatë fushatës elektorale, por një plan i publikuar në prill, deri tani ka rezultuar i pafrytshëm. Lagjet që janë në një distancë më të madhe nga qendra e qytetit, që zakonisht mbahet më mirë për shkak të numrit të vizitorëve që tërheq, janë prekur më shumë ditët e fundit.

Ndërkohë në Ostia, një periferi buzë detit, banorët kanë filluar të djegin koshat e mbeturinave. Pavarësisht raporteve për disa zona të pastruara të premten, situata pritet të mbetet kritike përgjatë gjithë periudhës së festave të fundvitit.

Rreth 70 mijë tonë mbeturina në vit nga Roma, dërgohen në një impiant përpunimi plehrash në Austri. Toskana po ashtu mban një pjesë të peshës ndërsa një marrëveshje e mundshme me rajonin e Emilia Romanas është në rrezik, për shkak të marrëdhënieve jo të mira me administratën e Romës.

FOTO GALERI
2/6
A general view shows the piazza Campo Dei Fiori covered with waste after the daily market and before the arrival of the municipal workers to clean the place, on June 20, 2016 in Rome. / AFP PHOTO / ALBERTO PIZZOLI

Top Channel