Dëbora mbulon gjysmën e SHBA-ve, në prag të ndërrimit të viteve

28/12/2017 22:31

Topi i Kristaltë është gati për festimet e Vitit të Ri në “Times Square” të New York-ut. Por ata që duan të marrin pjesë në traditën 110-vjeçare dhe në koncertin e hapur do të duhet të ndeshen me temperaturat e ulëta.

Njëzet shtete qendrore dhe veri-lindore të SHBA-së tashmë janë goditur nga moti i ftohtë dhe dëbora. Erie, në Pensilvani, është mbuluar me një metër e gjysmë borë që vazhdon të bjerë.

Temperaturat e ulëta komplikojnë punën e ekipeve për pastrimin e rrugëve. Dhe ata ngadalësojnë udhëtimin e festave. Shërbimet emergjente dhe vendstrehimet po dërgojnë automjete për të mbledhur njerëz të pastrehë dhe të tjerë që mund të bllokohen në të ftohtë.

Disa njerëz janë të guximshëm dhe kanë dalë jashtë për t’u zbavitur në akull. Për shumë të tjerë, një mot i tillë nënkupton ndryshimin e planeve të tyre.

Temperaturat në prag të Vitit të Ri pritet të jenë afër 10 gradë nën zero nga shtetet verilindore e qendrore deri në jug të Karolinës. Këtu përfshihen qytete të mëdha si Çikago, St Louis, Nju Jork, Uashington dhe Atlanta.

I ftohti pritet të vazhdojë në javën e parë të vitit 2018. Shtetet bregdetare jugore mund të përjetojnë disa stuhi, ndërsa ajri i ftohtë përplaset me ajër të ngrohtë me lagështi nga Gjiri i Meksikës.

Top Channel