Ngërçi politik në Izrael/ Partitë arabe mbështesin qeveri anti-Netanyahu, por aleatët e Eisenkot nuk i duan në koalicion, roli që mund të luajë fraksioni ultra-ortodoks Vazhdimi i përpjekjeve diplomatike nuk e ka penguar shkëmbimin e kërcënimeve prej javësh të tëra mes Iranit dhe SHBA-së.
Mes frikës së një përshkallëzimi të ri ushtarak pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, lideri Suprem iranian Mojtaba Khamenei, u kërkoi së fundi forcave të armatosura të jenë të gatshme t’i përgjigjen çfarëdo sulmi “menjëherë, në mënyrë efektive dhe pa kufizime gjeografike”.
Pikërisht kjo pjesë e deklaratës ka nxitur thashetheme në Iran se çfarë mund të nënkuptojë ajo dhe nëse Teherani ka kapacitetet për ta çuar deri në fund këtë kërcënim. Kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan për herë të parë Iranin, më 28 shkurt, Teherani u kundërpërgjigj duke goditur shënjestra ushtarake dhe civile në shtetet arabe përgjatë Gjirit Persik, kujton REL.
Regjimi i ajatollahëve këmbëngulte se po sulmonte interesat amerikane në rajon. Tani, në Teheran janë ngritur pretendime se nëse lufta rifillon, faza e ardhshme e saj mund të shtrihet edhe më tej.
Vetë ish-ministri i Jashtëm, Manuchehr Mottaki, e konfirmoi se konflikti i ardhshëm “nuk do të jetë luftë rajonale” dhe paralajmëroi se, nëse Irani sulmohet, lufta që do të pasojë “do të arrijë deri në Evropë”.
Mediat iraniane e kanë paraqitur deklaratën si shenjë se Teherani mund të jetë duke ndryshuar politikën për rrezen e veprimit të raketave të tij.
Shtetet e Bashkuara kanë të paktën 128 baza dhe objekte ushtarake në 51 vende, nga Lindja e Mesme, Europë, Afrika e deri në Azinë Lindore, dhe sipas zyrtarëve iranianë, “bazat e agresorëve kudo në botë” tashmë janë pjesë e listës së objektivave të forcave të armatosura të Republikës Islamike.
Megjithatë, e përditshmja reformiste, Etemad, paralajmëroi se kërkesa për raketa me rreze më të gjatë veprimi, zotërimi i kapaciteteve teknike për t’i prodhuar ato dhe marrja e një vendimi zyrtar për ndryshimin e politikës, janë tre gjëra të ndryshme.
Top Channel