Një stacion për të nderuar Donald Trump

27/12/2017 20:03

Një stacion me emrin e Donald Trump. Kështu po mendon ta nderojë Izraeli presidentin amerikan pas vendimit të tij për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të shteti hebre.

Ministri i Transportit, Yisrael Katz bëri të ditur planin për të ndërtuar një tunel hekururdhor nëntokësor nën qytetin e vjetër të Jeruzalemit dhe për ta quajtur stacionin pranë murit perëndimor, Donald Trump.

Muri konsiderohet si vendi më i shenjtë, ku hebrenjeve u lejohet të luten. Tuneli e stacioni i ri hekurudhor do të jenë një zgjatim i një linje të shpejtësisë së lartë nga Tel Avivi, që pritet të hapet vitin e ardhshëm.

Në të kaluarën punimet në zonën pas murit perendimor, që për myslimanët njihet si Haram al-Sharif, e për hebrenjtë Mali Tempull, kanë nxitur protestat e palestinezëve.

UNESCO, e cila e mbron Qytetin e Vjetër si trashëgimi botërore, shprehu gjithashtu shqetësimet lidhur me gërmimet e nevojshme për hapjen e tunelit.

Ministri i Transportit Katz pohon për një të përditshme izraelite se zgjatimi i linjës Tel Aviv-Jeruzalem ishte projekti më i rëndësishëm kombëtar. Ai shtoi se kishte aprovuar rekomandimin e një komisioni hekurudhor izraelit për të ndërtuar një tunel nëntokësor 3 km të gjatë nga stacioni Binyanei HaUma në Jeruzalemin Perëndimor, tek muri në Jeruzalemin Lindor.

Tuneli do të kishte 2 stacione rreth 52 metra nën tokë; atë që do të quhet ‘Qendra e qytetit’ dhe stacioni “Donald Trump, Muri Perëndimor”, pranë rrugës së lashtë në lagjen hebraike të qytetit te vjetër.

Top Channel