Shqipëria mund të kishte abstenuar në OKB. Kështu mendon eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Janusz Bugajski.

Lidhur me argumentin e ministrisë së Jashtme të Shqipërisë se vendi votoi në linjat e Bashkimit Evropian, Bugajski tha se nuk është dhe aq bindës, sepse nuk ekziston një qëndrim i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe në fakt disa vende të BE-së abstenuan: Polonia, Hungaria, Rumania e të tjera.

Pavarësisht nga qëndrimi i BE-së, tha eksperti, ky ishte një votim më tepër simbolik. “Megjithatë, – tha ai, – Amerika vezhgon se cilët vende e mbështesin në kohë të vështira, prandaj, qëndrimi më i mirë për Shqipërinë do të kishte qenë që ajo të kishte abstenuar”.

Por nuk beson se vota e vendeve që u shprehën pro rezolutës që dënon vendimin e presidentit amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit do të ketë ndonjë efekt mbi to.

Shtetet e Bashkuara, tha ai, nuk mund të ndëshkojnë të gjitha ato shtete që votuan pro, sidomos vendet myslimane. Deklaratat amerikane ai i sheh më shumë si një paralajmërim sesa kërcënim.

“Uashingtoni mund të shkurtojë përshembull kontributin ndaj Kombeve të Bashkuara në tërësi, por nuk mendoj se do të kishte pasoja në kuptimin e marrëdhënieve dypalëshe”-pohon eksperti, sipas të cilit këto marrëdhënie do të shqytoheshin në bazë të meritës e jo një vote të vetme në OKB.

Ndërkohë Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi duke thënë se mënyra se si kanë votuar vendet e ndryshme nuk është i vetmi faktor që administrata amerikane do të mbante parasysh në marrëdhëniet me shtetet që zgjodhën të votojnë pro rezolutës.

 

Top Channel