Kreu i bashkisë Erion Veliaj i ka kërkuar opozitës t’i bashkohet nismës për pastrimin, teksa ka falenderuar edhe 32 këshilltarët që votuan buxhetin e vitit të ardhshëm. Ai është takuar me 24 administratorët dhe drejtuesit e institucioneve të varësisë për aksionin e pastrimit.
“Ju them atyre të merren me një punë tjetër. Këtë bashki nuk e bllokojnë dot më dhe punën e këtij qyteti nuk e bllokojnë dot më. Një nga gjërat që i sfidoj është që nëse i duan qytetin, të vijnë njerëzit për pastrim. As s’do të ishte bukur që të kishim nesër edhe dy partitë e opozitës për pastrim, të merrnin edhe ata qeset të jepnin edhe ata një model. Por të bllokosh që unë të punoj dhe që ne të punojmë, kjo nuk është sfidë, është budallallëk dhe është një gjë që ka dalë nga moda. Sfida ime për ata është nëse mund të mbjellin ata më shumë , nëse pastrojnë plehra më shumë se ne. nëse ata mund të sjellin ide shumë më të mira se tonat”, deklaroi Veliaj.
Duke u ndalur në aksionin e nesër, Kryetari Veliaj deklaroi se Tirana është shumë herë më e pastër se dy vite më parë. “Ne do të vijojmë me nisma të tilla dhe më vjen mirë që nga një situatë ku e nisëm dy vite më parë ku Tirana kishte mbi 300 hot spote, ne kemi identifikuar për pastrimin nesër rreth 35. Do të thotë që është dita me natën me çka qenë. Në këtë sens, do të doja shumë që përkrah pastrimit nesër ne të përfshijmë gjithë komunitetin, ndërlidhësit në komunitet, të përfshijmë administratorët e pallateve. Vetëm kur ne fillojmë e pranojmë që këtë faj e kemi 100% vetë, atëherë mund t’i dalim zot. Unë them që ky është viti ynë, ky është realisht viti ynë dhe Tirana është sot pa dyshim jo vetëm qyteti më i pastër në Shqipëri, një nga më të pastrit në Ballkan në nivel kryeqytetesh me kaq popullsi, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë prezantoi edhe planin e masave të marra për pastrimin e qytetit të Tiranës, veçanërisht në 35 pika ku do të përqendrohet edhe aksioni.
Top Channel