BE, gati t’i heqë të drejtën e votës Polonisë

20/12/2017 17:02

Bashkimi Europian ka nisur një proces që mund të çojë deri në “zhveshjen” e Polonisë nga e drejta e votës në Bruksel, në një hap të paprecedentë që ka si qëllim të shtrëngojë qeverinë e djathtë të vendit për të hequr dorë nga reformat, që blloku i konsideron një kërcënim për demokracinë e vendit.

Komisioni Europian ka këshilluar zyrtarisht 27 vendet e tjera anëtare se programi legjislativ i qeverisë së Polonisë po vendos në rrezik vlerat themelore që priten nga një shtet demokratik, përfshirë pavarësinë e gjyqësorit.

Lëshimi i një paralajmërimi zyrtar për Poloninë ishte rekomanduar bashkë me sanksione të tjera të mëtejshme, në një akt që mund të përshkallëzojë ndjesinë në rritje të krizës mbi anëtarësinë e Polonisë në BE.

Të paktën 22 nga 28 vendet anëtare, tani duhet të votojnë në favor të propozimit nëse i ashtuquajturi “opsion bërthamor” i nenit 7 do të ndërmerret, por Brukseli beson se i ka numrat që i duhen.

Sanksioni më i rëndë i mundshëm është pezullimi i të drejtës së votës së një vendi anëtar në institucionet e BE-së, por kjo kërkon unanimitet mes vendeve anëtare, ndërkohë që qeveria e djathtë e Hungarisë ka bërë të ditur se nuk do ta mbështesë asnjëherë një lëvizje të tillë.

BE i konsideron të paktën 40 pjesë të legjislacionit të ri polak, që lidhen me gjyqësorin, të papranueshme. Ajo i ka cilësuar reformat e ndërmarra nga partia në pushtet, Ligj dhe Drejtësi, si një rrezik për integritetin e tregut të brendshëm, por edhe të popullit polak.

Qeveria polake këmbëngul se gjyqësori mban ende shumë nga arkitektura institucionale që ishte në fuqi gjatë kohës së komunizmit në vend, e se ai duhet të pastrohet dhe të funksionojë nën një kornizë të re ligjore.

Top Channel