Largimi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, nga administrata “Trump” është vetëm një prej ndryshimeve të shumta që priten të ndodhin në staf, ndërsa mandati i presidentit i afrohet fundit të vitit të parë.
Burime të cituara nga agjencia e lajmeve “Reuters” pretendojnë se, këshilltari i lartë ekonomik Gary Cohn dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, mund të jenë mes atyre që largohen.
Cohn, marrëdhëniet e të cilit me kreun e Shtëpisë së Bardhë u tensionuan më herët gjatë vitit, po konsideron të braktisë postin, pasi përpjeket e republikanëve për të përmbysur sistemin e taksave në SHBA të finalizohen në Kongres.
Sipas një burimi që flet në kushte anonimiteti, Kushner, i cili ka përjetuar një rënie të ndikimit në Shtëpinë e Bardhë, mund të tërhiqet për të shpëtuar imazhin, ndërsa përballet me hetimet mbi lidhje të mundshme me Rusinë.
Shtëpia e Bardhë i ka cilësuar këto si spekulime të pastra. Mediet amerikane raportuan të enjten se, Trump ka planifikuar të zëvendësojë Tillersonin me kreun e CIA-s, Mike Pompeo.
Senatori republikan i Arkansasit, Tom Cotton, një aleat i fuqishëm i presidentit, thuhet se do të marrë drejtimin e CIA-s. Largimi i Tillersonit nga Departamenti i Shtetit do t’i vinte kapakun marrëdhënies së trazuar mes presidentit dhe ish-kreut të “Exxon Mobil”, i cili është përplasur me presidentin Trump mbi qëndrimin ndaj Koresë së Veriut.
Vet Tillerson nuk ka dhënë asnjë sinjal se ka ndërmend të japë dorëheqjen.
Top Channel