Presidenti i Egjiptit, Abdul Fattah al Sisi ka premtuar se do të përgjigjet me forcën më ekstreme pasi 300 persona humbën jetën në një xhami në Sinain verior gjatë faljes së të premtes.
Xhamia al Rawda, në qytetin Bir al Abed, u bombardua dhe besimtarët që përpiqeshin të largoheshin u qëlluan me armë. Ushtria egjiptiane tha se kishte kryer sulme ajrore mbi objektiva terroriste si kundërpërgjigje.
Asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin më vdekjeprurës në historinë e kohëve të fundit. Pasi bombat shpërthyen, dhjetëra persona të armatosur që prisnin jashtë xhamisë, hapën zjarr mbi ata që përpiqeshin të largoheshin.
Agresorët, raportohet se i kishin vënë zjarrin makinave të parkuara në afërsi për të bllokuar aksesin në ndërtesë si edhe ambulancat që përpiqeshin të ndihmonin viktimat. 30 fëmijë janë mes viktimave dhe të paktën 100 persona janë plagosur.
“Ajo që po ndodh është një përpjekje për të ndaluar luftën tonë ndaj terrorizmit. Ushtria dhe policia do të marrin hak për martirët dhe do të rikthejnë sigurinë dhe stabilitetin me forcë maksimale”, tha Abdul Fatah al Sisi.
Prej vitesh forcat egjiptiane të sigurisë janë angazhuar në një betejë kundër rebelëve islamikë në gadishullin e Sinait dhe militantët e lidhur me të ashtuquajturin shteti islamik qëndrojnë pas dhjetëra sulmesh vdekjeprurëse në rajon.
Banorët lokalë thonë ndërkohë se xhamia Al Rawda përdoret nga fisi lokal savarka, që bashkëpunon me shërbimet e sigurisë kundër militantëve. Ajo po ashtu frekuentohet nga besimtarë të sufizmit, një degë mistike e islamit që dënohet nga disa grupe xhihadiste.
Top Channel