Ventura largohet nëse Italia mbetet jashtë Rusi 2018

12/11/2017 16:38

Përfaqësuesja italiane e futbollit dhe Gian Piero Ventura po përjetojnë orë vendimtare, pasi për herë të parë që nga viti 1958, “axurrët” rrezikojnë seriozisht të mbeten jashtë një Botërori, ndërsa për Venturën është në lojë posti i tij në stolin e kësaj skuadre.

Trajneri ka një kontratë me Federatën italiane të Futbollit deri në vitin 2020, por me nje klauzolë të zgjidhjes së saj në rast të eliminimit të Italisë. Nëse në “San Siro”, “axurrët” nuk do të bëjnë përmbysjen që pritet në përballjen me Suedinë, atëherë kontrata e Venturës do të anulohet dhe Federata do të nisë rindërtimin e skuadrës.

Qeveria e futbollit italian kërkon të sjellë në pankinë një emër të madh, por problemi qëndron te paga që ajo i garanton teknikut të “të kaltërve”, që është vetëm 1.5 milionë euro.

Nëse kjo shifër nuk do të rritet, atëherë për Federatën italiane emrat e Contes, Ancelottit, Mancinit e Allegrit do të mbeten thjesht një ëndërr. Kështu që, në këtë pikë, në horizont shfaqet emri i Di Biagios, trajnerit të Kombëtares U21 të Italisë, i cili mendohet që të marrë skuadrën e parë deri në muajin qershor, kur do të nisin edhe kërkimet për trajnerin e ri.

Por Ventura rrezikon edhe nëse Italia arrin të presë biletën për në Rusi. Në fakt, në skuadër raportet mes lojtarëve dhe trajnerit duket se janë krisur, që pas ndeshjes me Spanjën në Madrid, me futbollistët që papritur filluan të dyshojnë te projekti tekniko-taktik i Venturës, duke thyer besimin te trajneri, i cili në këtë moment u kërkon të gjithëve që të bëjnë një sakrificë të madhe, për të mos shkruar një nga faqet më të errëta të futbollit italian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA